Trajneri i Chelseat, Antonio Conte insiston se ai ende nuk e ndjen erën e titullit të Ligës Premier, me gjithë fitoren e skuadrës së tij ndaj Bournemouth me rezultat 3-1.
Një autogol, Eden Hazard dhe Marcos Alonso shënuan për të siguruar fitoren e radhës së Bluve të Londrës, fitorja kjo që i mban në krye të Ligës Premier me një epërsi prej shtatë pikësh mbi Tottenhamin dhe me shtatë ndeshje për tu luajtur, por Conte ndjen që ka ende punë për të bërë dhe duhet të vazhdohet ndeshje pas ndeshjes.
“Nuk e ndjej erën e fitores, sepse ka edhe shtatë ndeshje tjera për të luajtur”, ka thënë fillimisht Conte për mediat angleze.
“Ne nuk kemi orar të lehtë, ne e dimë këtë. Është e rëndësishme për të shkuar ndeshje pas ndeshjes”, transmeton Telegrafi.
“Në këtë rast, pas disfatës kundër Crystal Palace që ne nuk e merituam, kemi luajtur ndaj Manchester Cityt, ku ne mund të kishim lënë pikë, dhe sot(shtunë) ne mund të kishim lënë pikë, por në vend të kësaj kemi fituar dy ndeshje”.
“Duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë që të luajmë ndeshje pas ndeshjes dhe të fokusuar e të përqendruar, sepse me siguri Tottenham kanë një dëshirë të madhe për të fituar titullin. Ne duhet të kemi të njëjtën dëshirë”.
“Mos harroni sezonin e kaluar Tottenham luftoi për titull deri në fund që do të thotë se ata janë një ekip me të vërtetë i mirë. Sezonin e kaluar Chelsea ka luajtur për vendin e 10-të. Tani ne jemi në krye të tabelës”, përfundoi italiani. /Telegrafi/