Menaxheri i Chelseat, Antonio Conte, ka nënshkruar kontratë të re dyvjeçare me kampionin e Ligës Premier.
Megjithatë, kontrata e re nuk e zgjat qëndrimin e Contes në Stamford Bridge, pasi ai kishte nënshkruar kontratë trevjeçare kur kishte shkuar në Londër në verën e vitit 2016.
Por, natyrisht se arsyeja e rinovimit ka qenë për arsye ekonomike dhe është rritur paga e tij për të qëndruar te klubi anglez deri në vitin 2019.
“Jam shumë i kënaqur me nënshkrimin e kontratës së re”, ka thënë italiani 47 vjeçar.
“Kemi punuar jashtëzakonisht shumë në vitin e parë për të arritur diçka mahnitëse, për të cilën jam krenar”.
“Tash duhet të punojmë edhe më shumë që të mbesim në maje”, ka shtuar ish-trajneri i Juventusit.
Që në sezonin e parë te Blutë, Conte arriti ta fitonte titullin e Ligës Premier (2016/2017) dhe arriti në finale të Kupës FA, ku u mposht nga Arsenali. /Telegrafi/