Telegrafi

Conte: Ma kërkuan ta sillja titullin prapë te Interi, zikaltrit do të jenë konkurrues për shumë vite

(Foto: Instagram/Antonio Conte/AP)

Ish-trajneri i Interit, Antonio Conte, e ka fituar çmimin ‘Vittorio Pozzo’ për shkak të Scudettos së fituar në sezonin e kaluar dhe ka pranuar se dy vitet me Nerazzurrët kanë qenë shumë intensive.

Strategu italian u largua nga zikaltrit pas titullit të fituar në edicionin 2020/2021 dhe u zëvendësua nga Simone Inzaghi, ndërsa së fundmi e ka marrë drejtimin e Tottenham Hotspur.

Në ceremoninë e zhvilluar në Torino, Contes iu nda çmimi ‘Vittorio Pozzo’, por ai nuk mund të ishte pjesëmarrës dhe u lëshua një video e trajnerit.

(Foto: Inter.it)

“Është një nder i madh dhe kënaqësi. E dimë çfarë prezanton Vittorio Pozzo për kategorinë tonë. Për mua, ta fitosh një çmim të emëruar sipas tij, është një nder i vërtetë”, citon Sky Sport Italia fjalët e Contes.

Interi e fitoi titullin pas 11 vitesh duke ndërprerë dominimin shumëvjeçar të Juventusit, ndërsa edhe këtë sezon janë në garë për Scudetto.

“Ishin dy vite shumë intensive, i kam jetuar me entuziazëm dhe pasion. Nga unë u kërkua që t’ia sillja titullin prapë Interit, të gjithë bëmë mirë, duke i përfshirë menaxherët, lojtarët dhe stafin”.

“Besoj se kemi bërë punë të mirë brenda dy vitesh. Interi është tash një skuadër shumë konkurruese, sipas mendimit tim, do të jetë për disa vite”, ka shtuar tutje trajneri. /Telegrafi/