Antonio Conte ka thënë se lojtarët e Chelseat treguan përkushtim të madh, vullnet dhe dëshirë në gjysmën e dytë të ndeshjes kundër Burnleyt dhe për këtë gjë është shprehur krenar.
Blutë pësuan humbje prej 3-2 në xhiron e parë të sezonit të ri të Ligës Premier, ku i pranuan tre gola në pjesën e parë, për më pak se 20 minuta.
Mirëpo, paraprakisht Gary Cahill u përjashtua me karton të kuq, ndërsa edhe në gjysmën e dytë u largua nga loja Cesc Fabregas me kartonin e dytë të verdhë.
“E humbëm përbërjen tonë pas kartonit të kuq dhe duhet të përmirësohemi shumë në atë aspekt”, ka thënë trajneri italian.
Ai ka theksuar se në këtë takim i pa dy anë – atë negative në pjesën e parë dhe atë pozitive në të dytën, ndërsa ka refuzuar t’i komentojë vendimet e gjyqtarit.
Alvaro Morata shënoi gol pasi u inkuadrua në lojë dhe për këtë gjë ka marrë lëvdata nga trajneri.
“Alvaro ka hapësirë për t’u përmirësuar. Ai po angazhohet mirë, punon shumë për të arritur kondicion të mirë dhe për t’iu përshtatur stilit tonë”.
“Bëri lojë të mirë në 30 minutat e tij, shënoi një gol dhe ky është lajm i mirë për ne”, ka deklaruar më tej Conte. /Telegrafi/