Telegrafi

Conte: Eksperienca ime nuk më lejon të bie në lojërat e Mourinhos

Antonio Conte e konsideron veten si një trajner me shumë eksperiencë, saqë nuk mund të bjerë në nivelin e lojërave të fjalëve me Jose Mourinhon, pasi ky i fundit “akuzoi” Chelsean se po i fitonte ndeshjet me një futboll të fokusuar më së shumti në mbrojtje.

Mourinho i bëri një kompliment “ironik” ish-ekipit të tij pas fitores 2-0 të Manchester United ndaj Watfordit ditën e shtunë, duke thënë se londinezët e Chelseat do të fitonin titullin kampion në Ligën Premier për shkak se është një ekip “shumë i mirë në mbrojtje”, që ka pasur suksese deri më tani me “golat me kundërsulm dhe nga goditjet standarde”.

Por, pasi pa ekipin e tij të ndalej në barazim 1-1 nga Burnley në “Turf Moor” të dielën, tekniku italian Conte dukej jo i gatshëm t’u përgjigjej deklaratave të “Special One”.

“Nuk më pëlqen të replikoj më trajnerët e tjerë”, këmbënguli Conte, kur u pyet në lidhje me komentet e Mourinhos. “Nuk më pëlqen kjo lloj shakaje. Ai po luan, ndërsa unë kam eksperiencë të mjaftueshme për ta kuptuar këtë”.

Chelsea e rriti më tej kryesimin në Ligë në Premier me 10 pikë, pavarësisht se barazuan të dielën, i treti në këtë sezon, ndërkohë që Manchester City ka mundësinë mbrëmjen e kësaj të hëne që ta ngushtojë distancën në 8 pikë, nëse arrin të mposhtë Bournemouth në “Vitality Stadium”.

“Nëse dikush mendon se ky kampionat ka mbaruar, unë mund të them me bindje se jo”, tha Conte. “Janë gjashtë ekipe në garë për të fituar titullin, ndaj dhe gjithçka mund të ndodhë. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë siç kemi bërë deri më tani, e të përpiqemi të gjejmë rrugën drejt fitores ashtu siç bëmë edhe ndaj Burnleyt”, theksoi Conte, pavarësisht se me kundërshtarin e fundit nuk ia doli.

“Jam i zhgënjyer, sepse mentaliteti ynë është të përpiqemi gjithmonë të fitojmë. U përpoqëm edhe kësaj radhe, por ndonjëherë duhet të kuptojmë se ka edhe ndeshje të vështira. Ajo ndaj Burnleyt ishte tejet e vështirë. Jam i zhgënjyer për pikët, por jo për angazhimin që treguam në fushë. Mua më pëlqen të fitoj dhe të marr gjithnjë tre pikët”.