Site icon Telegrafi

Comey: Trump më kërkoi të ndryshoja rrjedhën e hetimeve të FBI-së

Ish kreu i FBI-së James Comey, ka dëshmuar sot para Senatit, duke thënë se shkarkimi i tij e kishte bërë konfuz dhe e ka shqetësuar atë.

Comey ka thënë se pas çdo kontakti me Presidentit Trump, ka mbajtur shënime sepse e dinte që një gjë e tillë do të vinte një ditë, duke shtuar se nuk ka qenë aspak e nevojshme ta bënte këtë me ish presidentin Obama.

Në deklaratën e tij, Comey jep hollësi befasuese për pesë biseda që ai ka patur me Trumpin dhe se ai i ka kërkuar të ndryshojë rrjedhën e hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Në një pasazh tjetër, Comey dëshmon se Presidenti Trump i kishte kërkuar më 14 shkurt të hiqte dorë nga hetimi për gjeneralin Michael Flynn, i cili ishte shkarkuar si këshilltar i sigurisë kombëtare një ditë më parë.

“Shpresoj se ju mund të gjeni mënyrën për të hequr dorë nga kjo, për ta lënë çështjen Flynn,” i ka thënë Trump.

Muajin e kaluar, Trump mohoi kategorikisht se i kishte bërë presion ish-shefit të FBI-së që të mbyllte çështjen Flynn ose të hiqte dorë nga hetimi i saj.

Pas deklaratës së tij, disa kritikë të Trump kanë thënë se pohimet e Comey tregojnë se presidenti është përpjekur të ndërhyjë në mënyrë të papërshtatshme, transmeton vizionplus.

Kujtojmë se Comey u shkarkua nga detyra muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë në fillim lëshoi një deklaratë duke thënë se shkarkimi ishte bërë me rekomandimin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili kishte dërguar një “memo” ku kritikonte mënyrën se si zoti Comey i trajtoi hetimet rreth çështjes së emailave të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Pas kësaj, drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey, ka nisur dëshminë e tij publike në Senatin Amerikan.

Exit mobile version