Site icon Telegrafi

Çollaku: Zbatimi i MSA-së, kryefjala e vitit 2016

Java që po lëmë pas u karakterizua me dy ngjarje të rëndësishme që mblodhën në Kosovë përfaqësues të lartë të institucioneve të Bashkimit Evropian. Bëhet fjalë për takimin e parë konstituiv të Komisionit Ndërparlamentar të Stabilizim-Asociimit si dhe Konferencën e nivelit të lartë për zbatimin e MSA-së.

Këto dy ngjarje, ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku, i ka cilësuar si tejet të rëndësishme të cilat i japin shtytje dhe orientim strategjik reformave që do të ndërmerren në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duke thënë se zbatimi i saj është “kryefjala e vitit 2016”.

“Komisioni Parlamentar i Stabilizim Asociimit, i cili pati takimin e parë të hënën që shkoi, ka rol të pazëvendësueshëm në dinamizimin e procesit të integrimit evropian përmes këshillimit dhe mbikëqyrjes së mekanizmave implementues të MSA-së, kultivimit të konsensusit dhe llogaridhënies, rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të gjitha palëve të interesuara, dhe informimin e publikut rreth procesit në tërësi. Jam shumë i sigurt se sikurse deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe ata të Parlamentit Evropian do të vazhdojnë ta demonstrojnë mbështetje për zbatim të kësaj marrëveshje dhe në përgjithësi për agjendën evropiane të vendit tonë”, ka thënë Çollaku për KosovaPress.

Nga ana tjetër, ai ka komentuar edhe konferencën e nivelit të lartë në mes të BE-së dhe Kosovës, me temën për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si stimuluese e ekonomisë, zhvillimit dhe krijimit të vendeve të punës, e cila sipas tij, mblodhi përfaqësues të institucioneve vendore, institucione të BE-së, organizata të shoqërisë civile dhe asociacione të biznesit dhe kompani nga BE-ja dhe Kosova me qëllim që të diskutohet ndikimi, mundësitë dhe përfitimet kryesore që ofron MSA-ja për ekonominë e vendit.

“Në këtë konferencë të gjithë u pajtuam se MSA-ja do t`i ndihmoj Kosovës të ec përpara në zhvillimin e saj ekonomik,do t`i ndihmojë prodhuesve kosovarë të përfitojnë nga prania në tregun e BE-së, dhe ta bëj Kosovën më atraktive për investimet e BE-së si dhe u pajtuam se organizimet e tilla nxisi n koordinimin më të ngushtë në mes të Qeverisë dhe të gjithë akterëve për ta dinamizuar zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit”, tha Çollaku.

Sipas tij, lidhur me këtë marrëveshje tani para vetes kemi një program dhe agjendë ambicioze të reformave legjislative dhe institucionale të cilat duhet të ndërmerren.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për sfidat që sjell ky proces kompleks që kërkon një nivel shumë të lartë të përgatitjes dhe kapaciteteve institucionale. Megjithatë, kemi besim të palëkundur se të gjitha reformat e kërkuara do të arrijmë t’i zbatojmë me sukses, dhe se kemi parakushte të mira dhe mbështetje nga të gjithë akterët institucionalë dhe politikë, shoqëria civile dhe qytetarët për të arritur këtë qëllim”, ka plotësuar Çollaku.

Ndërkaq, konkluzionet që kishin dalë nga kjo tryezë ditë më parë, lidhen me nevojën e zbatimit në mënyrë efektive të kësaj marrëveshje.

“Marrëveshja për Stabilizim Asociim ofron kornizën për reforma institucionale, legjislative dhe ekonomike. Stabiliteti politik, institucional dhe sundimi i ligjit janë parakushtet e domosdoshme për zbatimin efektiv te MSA dhe rrjedhimisht edhe për zhvillim ekonomik. Për zbatim efektiv të marrëveshjes që do të mundësonte jetësimin e përfitimeve të MSA, është me rëndësi të përmirësohet qeverisja ekonomike dhe të forcohen kapacitetet e administratës publike. Rritja e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit të ekonomisë së Kosovës, disiplina fiskale, si dhe adresimi i sfidave rreth rritjes së punësimit dhe pjesëmarrjes në treg janë faktorët kyç për rritje ekonomike të qëndrueshme”, janë disa prej konkluzioneve të cilat u thanë në këtë konferencë e për të cilat institucionet dhe palët e tjera vlerësuan se bashkërisht duhet t’i zbatojnë në praktikë.

Zyrtarë të MIE-së kanë paralajmëruar aktivitete të ngjashme edhe në të ardhm en duke përfshirë edhe nivelin lokal me qëllim të informimit të drejtë të të gjitha palëve të interesuara mbi mundësitë të cilat i ofron Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. /Telegrafi/

Exit mobile version