Site icon Telegrafi

Çollaku takohet me deputetë të Bundestagut gjerman

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka pritur sot në takim një delegacion të deputetëve nga Bundestagu gjerman me të cilët ka diskutuar për agjendën evropiane të Kosovës dhe bashkëpunimin bilateral ndërmjet dy vendeve.

Ministri Çollaku ka informuar deputetët gjerman se Kosova ka përmbushur obligimet karshi procesit të liberalizimit të vizave dhe se është në pritje të një vendimi meritor në mënyrë që kosovarët të lëvizin pa viza.

Për këtë ka thënë se është shumë e rëndësishme mbështetja e Gjermanisë si partner kryesor dhe strategjik i Kosovës brenda Bashkimit Evropian.

Njëkohësisht ministri Çollaku ka folur edhe për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ai ka theksuar se hyrja në fuqi e MSA-së ofron mundësinë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe investimeve gjermane në Kosovë.

Po ashtu ministri Çollaku ka nënvizuar nevojën e  intensifikimit të përpjekjeve për punësim sezonal të profesionistëve kosovarë në Gjermani, për profile e sektorë të caktuar.

Delegacioni gjerman në përbërje prej deputetëve: Peter Weiß (CDU/CSU), Andreas G. Lämmel (CDU/CSU) si dhe Josip Juratovic (SPD), kanë përgëzuar ministrin për hyrjen në fuqi të MSA-së, duke premtuar vazhdimin e mbështetjes së shtetit gjerman në procesin e liberalizimit të vizave dhe ndërmarrjes së reformave në kontekst të agjendës evropiane. /Telegrafi/

Exit mobile version