Site icon Telegrafi

Çollaku takim me ambasadorët e shteteve të BE-së, bisedojnë për zbatimin e MSA-së

Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku ka zhvilluar një takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët ka biseduar fillimin e zbatimit të MSA-së.

Zbatimi i MSA-së është kusht themelor i Kosovës për anëtarësim në BE por edhe i domosdoshëm për zhvillim socio-ekonomik.

“ I informova ambasadorët për planet që kemi në kuadër të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA dhe përmbajtjet e këtij dokumenti kombëtar strategjik për planifikimin, zbatimin dhe monitorimin e të gjitha reformave në procesin e anëtarësimit të Kosovës në BE”, shkruan Çollaku në Facebook.

Ai më tej tha se MSA nënkupton më shumë reforma, më shumë stabilitet për investime, krijim të kushteve më të mira të tregtisë me BE-në, përfitime për konsumatorin, rritje ekonomike, rritje të prodhimeve vendore dhe të eksportit, dhe më shumë vende pune në Kosovë.

“Natyrisht, që diskutuam edhe për hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë për liberalizimin e vizave tani që ne i kemi përmbushur kriteret teknike të kërkuara nga Komisioni Evropian. Theksova se institucionet dhe qytetarët meritojnë sa më shpejtë një propozim ligjor nga Komisioni Evropian për liberalizimin të vizave për Kosovën, dhe se shtetet anëtare kanë një rol të rëndësishëm që të ndihmojnë në përshpejtimin e vendimmarrjes”, shprehet Çollaku. /Telegrafi/

Exit mobile version