Bekim Çollaku, këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se i pari i shtetit në daljet e tij publike përçon mesazhe tjera për ndërkombëtarët, ndërsa tjera për qytetarët e Kosovës.
Çollaku në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se Kosova nuk mund të presë anëtarësim në Bashkim Evropian nëse refuzon dialogun me Serbinë.
“Kosova është status quo në aspektin e perspektivës tonë euro-atlantike. Nuk mund të presim që Kosova të bëhet shtet i BE-së pa përmbyllur këtë proces më Serbinë”, tha ai përcjell Telegrafi.
Këshilltari i presidentit Thaçi ka thënë se Kosova të vetmin presion që ka nga vendet mike dhe Donald Trump është arritja e një marrëveshje.
“Nuk kemi pasur presione dhe nuk kemi as sot nga askush për çfarëdo opsioni. Presioni i vetëm që na bëhet nga shtetet partnere duke përfshirë presidentin Trump dhe SHBA, është që ta shfrytëzojmë këtë mundësi unike dhe të arrijmë një marrëveshje. Ky është presioni i vetëm”.
Çollaku ka thënë se afati kohor për arritjen e një marrëveshjeje mes palëve është duke u zvogëluar.
Ai ka thënë se Kosova ka arritur maksimumin me njohjet ndërkombëtare, dhe vetëm marrëveshja finale dhe evitimi i vetos ruse do të na dërgojë në OKB./Telegrafi/