Këshilltari i presidentit Thaçi, Bekim Çollaku ka thënë se nëse SHBA dhe BE i kërkojnë Kosovës anulimin e taksës ndaj Serbisë, pse ne të mos e marrim në konsideratë anulimin e kësaj takse për një periudhë të shkurtër.
Çollaku në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se nuk mjafton vetëm të thuash se je i gatshëm për dialog por duhet edhe vepra konkrete. Ai ka thënë se bashkësia ndërkombëtare ka qenë shumë e zëshme kundër taksës ndaj produkteve serbe.
“Nëse SHBA dhe BE na thonë neve ju lutem keni mirëkuptim që edhe çështja e taksës të zgjidhet në dialog, atëherë unë personalisht mendoj, që nëse Qeveria do të vazhdojnë dialogun pse të mos marrin në konsideratë suspendimin e përkohshëm të kësaj mase me kushtin që t’i jepet mundësi dialogut dy apo tre muaj”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Këshilltari i presidentit Thaçi ka thënë se taksa ndaj produkteve serbe është shumë i mirë, por Kosova është gozhduar nga ndërkombëtarët për këtë veprim.
“Si një masë efektive politike e përkohshme taksa ishte e justifikueshme. Por tashmë ajo e ka arritur efektin e saj. Serbia e ka kuptuar se Kosova është e pavarur dhe sovrane dhe mund të marrë vendime të pavarura”, tha ndër të tjera Bekim Çollaku./Telegrafi/