Site icon Telegrafi

Çollaku: Kosova ka shpresa se vitin e ardhshëm të ketë qasje në “Creative Europe”

Ministri për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës Bekim Çollaku, ka mbështetur idenë e organizatorëve të Pri Film Fest-it, që edhe Kosova të ketë qasje në programin e Bashkimit Evropian “Creative Europe”.

Ky program do t’i mundësonte sektorëve privat dhe publik, organizatave joqeveritare dhe institucioneve akademike mundësi për të konkurruar për fonde dhe projekte në fushën e kulturës, artit dhe mediave. “Pri Film Fest” ka iniciuar një deklaratë dhe peticion për të apeluar që edhe Kosova të ketë qasje në këtë program.

Përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ministri Bekim Çollaku ka mbështetur këtë iniciativë dhe ka konfirmuar se është prioritetet i lartë i ministrisë në raport me BE-në. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë program specifik të BE-së ka si parakusht që BE-ja të miratojë një marrëveshje kornizë për qasje në programe të BE-së. Përveç “Creative Europe”, Çollaku shkruan se ekzistojnë edhe një sërë programesh që ndërlidhen me zhvillimin e sektorit privat, arsimit, hulumtimit shkencor, mjekësisë, drejtësisë etj., në të cilat shkruan se Kosova do të ketë qasje sapo të miratohet kjo marrëveshje.

“Miratimi i marrëveshjes kornizë ka qenë një kërkesë e kamotshme e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Komisioni Evropian ka reaguar pozitivisht që nga viti 2009, kur e ka propozuar këtë marrëveshje në komunikimin e tyre “Kosova – Përmbushja e Perspektivës Evropiane”. Në vitin 2013 Komisioni Evropian e ka propozuar këtë marrëveshje para Këshillit të BE. Në vazhdimësi kemi lobuar te të gjithë partnerët tanë për të përshpejtuar miratimin e kësaj marrëveshje në mënyrë që të na mundësohet qasja në të gjitha programet e BE-së që janë të hapura për vendet e mbuluara nga politika e zgjerimit e BE-së”, sqaron më tej Çollaku përmes këtij publikimi.

Fakti që Kosova nuk ka pasur marrëveshje kontraktuale me BE-në, siç shkruan Çollaku ka qenë një nga faktorët që e ka ngadalësuar këtë proces. “Por tani që kemi nënsh kruar dhe ka hyrë në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asociim unë pres që Komisioni Evropian të rikthej ketë marrëveshje për diskutim tek shtetet anëtare të BE-së, në Këshill të BE-së, në mënyrë që një vendim të merret sa më shpejtë. Ambiciet tona janë që të mund të aplikojmë për programe të BE-së në mundësinë e parë të mundshme, pra nga fillimi i vitit të ardhshëm”, shkruan ministri për Integrime Evropiane.

Ai, tutje thotë se do vazhdojë që ta adresojë këtë çështje me institucione të BE-së në ditët dhe javët në vazhdim, dhe beson se së shpejti do të fillojë trajtimi në mënyrë të barabartë i Kosovës edhe në këtë aspekt si shtetet e rajonit. Çollaku ka përgëzuar organizatorët për këtë iniciativë dhe për interesimin që të përfitojnë nga mundësitë që BE i ofron për vendet e zgjerimit, të cilat thotë se plotësisht i meritojnë.

Exit mobile version