Karta për të Dhënat e Hapura që u miratua në fund të kësaj jave në Qeverinë e Kosovës, po konsiderohet një formë inovative për hapjen e Qeverisë.
Kjo kartë parasheh formësimin e një politike kombëtare për hapjen e të dhënave që do të përfshinte të gjitha institucionet për të rritur transparencën e tyre, duke synuar krijimin e një kulture të hapjes së të dhënave dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe palëve te interesuara.
Kështu ka bërë të ditur Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Evropian, ministri kjo e cila që nga viti 2013 koordinon procesin e anëtarësimit të Kosovës në Partneritetin për Qeverisje të Hapur (OGP).
Sipas tij, karta formëson një politikë për hapjen e të dhënave duke obliguar të gjitha institucionet të publikojnë të dhënat publike në një ueb faqe e cila u lansua ditë më parë nga Ministria e Integrimit Evropian dhe partnerë të tjerë.
“Hapja e të dhënave dhe rritja e qasjes në shënimet e qeverisë fuqizon individin, mediat, shoqërinë civile dhe bizneset, me qëllim që të ketë rezultate më të mira në shërbimet publike si: shëndetësi, arsim, mbrojtje të mjedisit dhe qeverisje të mirë. Hapja e të dhënave është në përputhje me Direktivën 2013/37 të Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian”, ka thënë Çollaku për KosovaPress.
Sipas tij, përmes hapjes së të dhënave tregohet se si janë shpenzuar paratë publike dhe vlerëson se një gjë e tillë, bënë që këto para të shpenzohen në mënyrë më efektive.
“Një proces i tillë po ashtu u mundëson qytetarëve që të jenë më të informuarqë është një parim i funksionimit të mirëfilltë demokratik të institucioneve publike”, plotëson ai.
Sa i përket zbatimit të kësaj karte, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e fundit ka obliguar Ministrinë e Administratës Publike për koordinimin e punës për zbatimin e Kartës për hapjen e të dhënave përmes hartimit të një plani kombëtar të veprimit, i cili do të hartohet nga një grup punue s që do të ketë në përbërje edhe shoqërinë civile si dhe ndërmarrjen e aktiviteteve të tjera që parashikojnë zhvillimin e kapaciteteve për institucionet publike përkitazi me obligimet për hapjen e të dhënave.
Karta e të Dhënave të Hapura ishte miratuar në Samitin e G8-shit të mbajtur në Irlandën Veriore, në qershor të vitit 2013, nga këto 8 shtete.
Në këtë kartë thuhet se shtetet e G8-shit janë pajtuar që të zbatojnë parimet dhe praktikat më të mira të të dhënave të hapura, duke pasur kohë që deri më 31 dhjetor të vitit 2015 të bëjnë Planet e Veprimit bazuar në këtë kartë.
“Të dhënat e hapura janë të dhëna digjitale që bëhen të qasshme me karakteristikat teknike dhe ligjore të nevojshme, në mënyrë që të përdoret lirshëm, të ripërdoret dhe të ri-shpërndahet nga çdokush, në çdo kohë, në çdo vend”, thuhet në Kartën e të dhënave të hapura.
Aty ndër të tjera konstatohet se të dhënat e hapura iu mundësojnë qeverive, qytetarëve, shoqërisë civile, dhe organizatave të sektorit privat të marrin vendime më të mira bazuar në informatat e marra.
“Qasja efektive dhe në kohë në të dhëna ndihmon individët dhe organizatat që të zhvillojnë ide të reja dhe njohuri të reja që mund të gjenerojnë përfitime sociale dhe ekonomike, duke përmirësuar jetën e qytetarëve në mbarë botën”, thuhet në kartë.