Site icon Telegrafi

Çollaku garanton, vizat hiqen sivjet

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, në intervistën dhënë “Zërit” deklaron se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme për heqjen e vizave nga BE-ja dhe shprehet i bindur se sivjet do të ketë liberalizim. Sipas Çollakut, BE-ja panevojshëm po e shtyn liberalizimin

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ndihet optimist se brenda këtij viti qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm brenda Bashkimit Evropian pa viza.

Në intervistën dhënë “Zërit” Çollaku thotë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara nga BE-ja për heqjen e vizave. Ai e konsideron të pakuptimtë që ky proces po zvarritet nga BE-ja për çështjet e tyre.

Aktualisht, autoritetet në Prishtinë, sipas Çollakut, janë në pritje të vlerësimit nga ana e Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e tetë rekomandimeve të prezantuara në raportin e dhjetorit të 2015-s.

“Unë jam i sigurt se vlerësimi do të jetë pozitiv, mirëpo jam shumë i brengosur me vonesat e panevojshme nga ana e Komisionit Evropian. Pavarësisht kësaj, në momentin që përfundon ky vlerësim, atëherë do të futemi në fazën e vendimmarrjes brenda institucioneve të Bashkimit Evropian që duhet të fillojë me dhënien e rekomandimit për liberalizimin e vizave”, tha ai.

Por, fatkeqësisht, sipas Çollakut, BE-së nuk po i ngutet sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Më duhet të konstatoj se BE-së nuk i është ngutur asnjëherë në rastin e Kosovës. Ndërsa liberalizimi i vizave për Kosovën nuk konsiderohet fare prioritet brenda BE-së dhe as tek shtetet anëtare në një moment të krizës së thellë me refugjatë”, tha ai.

Ndërsa dhuna në Kuvendin e Kosovës, sipas tij, mund të ndikojë negativisht tek vendet e BE-së në procesin integrues. Prandaj, Çollaku u bën thirrje opozitarëve që të heqin dorë nga dhuna dhe të vazhdojnë dialogun.

Kurse sa i përket riformatimit në Qeverinë “Mustafa” dhe deklarimeve se Çollaku do të shkojë si këshilltar i presidentit të ri, Hashim Thaçi, ai tha se kjo nuk qëndron. Ai tha se puna më prioritare e tij është ministër. /Zëri/

Exit mobile version