Bekim Çollaku, shef zyrës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, ndaj presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Çollaku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kosova, pas përpjekjeve shekullore, arriti të çlirohej me një luftë të drejtë, çlirimtare, të përkrahur nga bota demokratike”.
Ai ka thënë se kurrë nuk mund të barazohet lufta e drejtë për liri me luftën pushtuese të shtetit të Serbisë që ushtroi dhunë, pastrim etnik, masakra dhe krime kundër njerëzimit mbi popullatën e paarmatosur.
“Nuk ka asgjë më të neveritshme dhe më të pështirë, kur gjoja në emër të drejtësisë njollosen, akuzohen, gjykohen e madje edhe dënohen luftëtarët e lirisë”.
Më tej ai ka shkruar se “Çmimi i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës është tepër i lartë, prandaj përpjekjet për përmbysjen dhe rishkrimin e historisë janë të destinuara të dështojnë”. /Telegrafi/