Telegrafi

Çollaku: Ata që kapen duke punuar ilegalisht në vendet e BE-së, do të ndëshkohet

Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku ka thënë se rekomandimi për liberalizimin e vizave nuk është dhuratë nga Komisioni Evropian, por është rezultat i punës së kryer nga institucionet në Kosovë.

Në një intervistë për RTK – në, Çollaku ka thënë se procesi i liberalizimit të vizave do të mbyllet shumë shpejtë dhe qytetarët do të jenë të lirë të udhëtojnë pa viza.

Ai ka përmendur kriteret që duhet të plotësojnë qytetarët për të udhëtuar pa viza nëpër vendet e Bashkimit Evropian.

“Të gjithë ata që kanë pasaporta biometrike, një adresë të saktë se ku po shkojnë dhe një shumë të caktuar parash mund të udhëtojnë pa viza”, ka thënë Çollaku.

Çollaku më tej ka qartësuar se një gjë e tillë nuk nënkupton të drejtën për punësim.

“Nëse duan të punojnë, duhet të kenë leje të veçantë pune, për shkak se vizat bëhen vetëm për qëllime turistike apo vizita tek të afërmit”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse dikush zihet duke punuar ilegalisht në këtë zonë, atëherë do t’i ndalohet hyrja në të gjitha vendet e BE – së.

“Qytetarët duhet të respektojnë rregullat, dhe jam shumë optimist lidhur me këtë”, tha Çollaku.
Ai ka folur edhe për fluksin e qytetarëve që në fund të vitit të kaluar kishin kërkuar azil nëpër vendet e BE – së, për çka tha se ka qenë një goditje e rëndë për liberalizimin e vizave.