Kampionati Evropian ka qenë i mrekullueshëm për Uellsin deri në këto momente, por trajneri Coleman pret që të vazhdojë edhe pas ndeshjes me Portugalinë.
Kombëtarja e Uellsit do të përballet me Portugalinë të mërkurën në gjysmëfinalen e parë të Euro 2016 dhe për trajnerin Chris Coleman fitorja me Belgjikën dhe entuziazmi që ajo solli duhet harruar, pasi tani është momenti për të menduar për Portugalinë dhe për Cristiano Ronaldon.
“Ne do ta përballojmë këtë sfidë në të njëjtën mënyrë siç kemi luajtur përgjatë gjithë këtij Evropiani. Nuk besoj se e kemi luksin për të ndryshuar stilin tonë, sepse ne i dimë cilësitë tonë”, deklaroi Chris Coleman.
“I vetmi mesazh që unë mund t’i jap lojtarëve të mi përpara kësaj sfide është që të luajmë siç kemi bërë deri tani, pasi kjo mënyrë loje na ka sjellë deri këtu. Ne nuk ndryshojmë në varësi të kundërshtarit dhe as të ndonjë lojtari në veçanti sepse në jemi një skuadër.
“Ne duhet thjesht t’i tregojmë Portugalisë se në fushë jemi dhe ne dhe se dimë të luajmë futboll po aq mirë sa ata”.
“Nuk është se kam stërvitur skuadrën në një mënyrë specifike për të mbuluar Ronaldon, pasi nuk e kam bërë këtë as me Hazardin e Belgjikës”, përfundoi trajneri uellsian. /Telegrafi/