Telegrafi

Çohu – PTK po rrezikohet

Organizata për Demokraci dhe Antikorrupcion, veprimet e deritanishme të Qeverisë së Kosovës për privatizimin e PTK-së, i konsideron të dyshimta dhe ka vlerësuar se kjo kompani do ti shitet ndonjë kompanie të afërt me zyrtarët e qeverisë së Kosovës.

Sipas kësaj organizate tani nuk është koha e përshtatshme, në këtë krizë, ku humbet interesimi për të blerë kompani, per tu privatizuar PTK, dhe nëse nuk dilet me një çmim paraprak, tendenca është të shitet me çmim sa më të ulët.

Sipas kreut të kësaj organizatë, Avni Zogiani, vendimi për privatizimin e kësaj kompanie ka lënë anash diskutimin e ashpër të marrëveshjes me të cilin bordi aktual i PTK-së i dominuar nga njerëz partiakë, ka shpërblyer kompaninë Dardafon me 78 për qind të biznesit të Valës.

“ Kjo marrëveshje e arritur në mënyrë jotransparente praktikisht përcakton krejt kushtet kretësisht të pafavorshme dhe të dëmshme për PTK-në ashtu siç ka paralajmëruar një grup punues nga PTK në një raport vlerësimi të marrëveshjes”, ka thënë Zogijani.

Sipas Zogianit, krejt këto që po ndodhin në PTK janë rezultat i punës së ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, i cili i ka prirë për 5 vite privatizimit.

"Sot kur shikohet prapa procesi i privatizimit të Ferronikelit,Llamkosit, Sharcemit dhe ndërmarrjeve të tjera, shihet fare e qartë se ekonomia nuk është ndihmuar fare nga ky proces", ka thene ai.

Sipas gazetës Koha Ditore, kjo organizatë po ashtu u ka ofruar një dokument gazetarëve përmes të cilit ka pretenduar se ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala, është bashkëpronar i një firme me emrin “RAR”, e cila merret me prodhimin e metaleve të çmuara bashkë me drejtorin e bordit të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj dhe Rexhep Cekun.

Këta tre emra figurojnë në fletëregjistrimin e këtij biznese në Pejë, i cili është themeluar para një viti.

“Mirëpo Çohu e ka gabuar adresën kësaj radhe , pasi Ahmet Shala që është në krye të biznesit RAR, nuk është ministri i Ekonomisë dhe Financave”, shkruan Koha Ditore.

“Partneri im në këtë firmë nuk është ministri Ahmet Shala, por një person tjetër me këtë emër që është nga Logja e Pejës”, ka deklaruar Gjonbalaj.

Vet Ahmet Shala,pronar i kësaj firme ka folur për këtë gazetë duke thënë se shumë njerëz e ngatërrojnë me ministrin Ahmet Shala.