Telegrafi

”Çohu”: Privatizimi i ndërmarrjeve publike jo transparent

Drejtuesit e Organizatës “ÇOHU” gjatë një konference për media, kanë thënë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike i cili po zhvillohet është jotransaprent, ku përfitojnë vetëm qeveritarët, përfaqësuesit e ambasadave të huaja dhe kompanitë që po i fitojnë tenderët.

“ÇOHU” ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se po zhvillon procese të privatizimit në mungesë të lartë të transparencës. Në këtë kuadër ajo ka përmendur privatizimin PTK-së, distribucionin e KEK-ut, Termocentralin “Kosova e Re”, dhe Autostradën Vërmicë-Merdare.

Lorik Bajrami, tha se procesi po zhvillohet i pa studiuar për efektin ekonomik që do të prodhojnë, por, vetëm sa për të përmbushur interesa të ngushta të individëve të caktuar.

“Kryesisht ka të bëjë me përfitime personale të njerëzve kyç të involvuar në këtë proces, të cilët janë, Kryeministri i vendit, Ministri i Ekonomisë, Këshilltarë të ndryshëm, ambasada me ndikim si dhe kompanitë fituese të tenderëve”, tha Bajrami.

Sipas tij, ndikim të madh në privatizimin e ndërmarrjeve publike ka Ambasada Amerikane, USAID-it, por sipas tij edhe ambasada të tjera. /Telegrafi/