Hulumtimi i Organizatës “Çohu” dhe Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese, hedh dyshimin se lideri i konzorciumit fitues të PTK-së, “Axos Capital Partners”, në fakt nuk është blerësi real i PTK-së.
Sipas Lorik Bajramit nga kjo organizatë, hulumtimi ka ardhur në dy përfundime të mundshme mbi mundësinë se kush realisht qëndron mbrapa fondit investues.
“E para ka të bëjë se blerësi i PTK-së ‘Axos Capital Partners’, në fakt prapa tij qëndron ‘Deutsche Telekom’ dhe kjo për shkak të një sërë faktesh që ne kemi arritur t’i gjejmë. Pjesa kryesore se ku ne po e bazojmë këtë fakt ka të bëjë me drejtuesit dhe themeluesit e Axosit. Nëse e shohim strukturën e gjithë themeluesve të Axosit dhe drejtuesve të bordit të kësaj kompanie del që gjithë këta njerëz kanë qenë dikur punonjës në pozita të larta në DT”, ka thënë Bajrami.
Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në kuadër të këtij konsorciumi të ketë edhe kapital vendor.
“Krejt çështja është që të bëhet transparente se kush qëndron prapa ‘Axos Capital’ për shkak se Axosi dhe konsorciumi si i vetëm nuk dëshmon legjitimitet dhe kredibilitet se mund të realizojë atë që na kanë premtuar qeveritarët”, ka thënë ai, transmeton Zëri.
Sipas Bajramit, lideri i konsorciumi “Axos Capital” nuk e plotëson as kushtin minimal i cili është që duhet t’i ketë në tri apo shtatë 7 vjetëve të fundit 250 milionë euro qarkullim.
“Duhet të përmendet se rundi i dytë i privatizimit të 75 për qind të aseteve të PTK-së është përcjellë me tri shtyrje të afatit të dorëzimit të ofertave për blerjen e aksioneve të PTK-së. Për më shumë, gjatë kësaj kohe kemi parë edhe tërheqjen e disa prej konzorciumeve nga gara, por edhe një anatemim të vazhdueshëm të kompanisë ‘M1 International’, për lidhje të saj me Hezbollahun”, ka thënë Bajrami.
Sipas tij, në këtë hulumtim janë identifikuar edhe tri shkelje ligjore që kanë të bëjnë me ligjin dhe rregullat e tenderimit.
“E para ka të bëjë me mungesën e një vendimi të qartë të Kuvendit të Kosovës, sa i përket privatizimit të PTK- së, Ligji për ndërmarrjet publike, neni 9.1, është shumë i qartë kur thotë se duhet të ekzistojë një vendim i Kuvendit, i cili e legjitimon shitjen e PTK-së. Deri sot as Komisioni Qendror i Privatizimit, por asnjëri prej zyrtarëve të lartë të përfshirë në privatizim nuk ka arritur ta shpjegojë qartë se cili është ai vendim që është marrë mbi të cilin pastaj ka filluar gjithë rrjedha e privatizimit”, ka thënë ai.
Çështja tjetër, sipas Bajramit, ka të bëjë me ndryshimin e konsorciumit “Axos Capital” dhe “Columbia Capital” në momentin kur ata janë parakualifikuar. Kjo çështje, sipas tij, ligjërisht është e pamundur që pas procesit të parakualifikimit të lejohet ndryshimi i konsorciumit në fjalë. Ndërsa, çështja e tretë, sipas tij, ka të bëjë me shkelje të ligjit të prokurimit publik.
“Se a e ka shkelur Komisioni Qeveritar për Privatizim ligjin duke qenë që e ka lejuar ndryshimin e konsorciumit pas fazës parakualifikuese”,ka thënë ai. /Telegrafi/