Na ishte një herë një kohë, kur Gjilanin e qeverisi një “lidership”, i ngjashëm me këtë “lidershipin” e sotëm komunal. Ishte gjithçka e paplanifikuar, kur nga një luftëtar partizan shpëtohet Titoja i plagosur rëndë. Abazi nga Bukoviku thuhet se e kishte bartur Titon e plagosur në shpinë.
Pas “çlirimit” fashist i erdhi radha Abazit me e marr hisen e vet. Atij i bie “shorti” të udhëheq me Gjilanin.
Thonë se ishte person i mirë, i drejtë dhe i sinqertë. Para lufte i kishte ruajtur delet e dhitë, e të njëjtat ato i mbante tashti edhe në oborrin e objektit të komunës. Në ditët me mot të mirë, ai i kulloste e rrinte aty me to.
Ishte i pashkolluar dhe nuk dinte shkrim e lexim. Në disa raste thuhet se gazetën e merrte dhe e shfletonte mbrapsht.
Sidoqoftë, në kohën e tij Partia Komuniste kishte filluar investimet në fabrika dhe kombinate të Gjilanit. Në kohën e Abazit u ndërtua edhe Kombinati i Duhanit.
Por, Abazi nuk merrte asgjë për vete dhe familje nga shteti. Nuk abuzoi me pozitën që kishte, e as nuk kishte veturë zyrtare. Duke ndjekur shembullin e tij, morali në qytet ishte i lartë.
Abazi vdiq si njeri i mirë dhe i sinqertë, i cili udhëhoqi komunën pa pas haber për atë punë. Ai mbahet mend si person i cili nuk harxhoi asnjë qindarkë të buxhetit të komunës pa nevojë; nuk kishte dashnore; nuk kishte as familjarë me kërkesa megalomane; kishte një familje të edukuar nga mësuesit e asaj kohe, nga të cilët sot ka kuadro profesionale jashtë vendit. Ai ka lënë besa edhe vepra të mira, ndërsa për ta nderuar, një shkollë fillore në lagjen Arbëria mban emrin “Abaz Ajeti”.
Familja e tij jeton me të ardhurat e veta, sepse Abazi nuk la asgjë mbrapsht që ne do ta vuanim sot.
Për disa qytetarë sot Abazi konsiderohet si njeri që nuk ka ditur të qeverisë mirë, sepse nuk vodhi asgjë nga shteti dhe buxheti i komunës. Por, ai ishte personi i duhur tek i cili “lidershipi” i sotëm mund të mësoj shumë nga menaxhimi me paranë publike dhe pozitat të cilat i kanë përkohësisht.
Ai qeverisi me nderë, shkoi faqebardhë. Shpresoj që brezat që vijnë të mos e harrojnë. Në mos jo si udhëheqës, atëherë së paku si burrë të mirë e të ndershëm.