Telegrafi

CNN: Trump kritikon ashpër Kinën, por pronat e tij importojnë mijëra tonë mallra kineze

Presidenti amerikan Donald Trump e ka vendosur veten në një pozicion të ashpër ndaj Kinës dhe premtoi se negociatat e tij tregtare me Pekinin do të ishin përfituese ekonomikisht në përditshmërinë e amerikanëve.

Dhe një gjë e tillë, sipas CNN, përcjell Telegrafi, ka vazhduar të ndodhë edhe pse pronat e zotëruara nga Trump kanë vazhduar të kontribuojnë në deficitin tregtar me vendin të cilin ai e kritikon në vazhdimësi.

Kështu, që nga shtatori i vitit të kaluar, pronat e Trumpit në SHBA kanë importuar më shumë se tetë tonë mallra nga Kina, CNN ka mësuar duke rishikuar të dhënat e doganave amerikane të përpiluara nga ImportGenius.

Madje, më shumë se gjashtë tonë tavolina u dorëzuan në Hotel International Trump në New York vjeshtën e kaluar.

Në të njëjtën ditë, Trump kishte shkruar në Twitter: “Ne po bëjmë shumë mirë në negociatat tona me Kinën”.

Gjithashtu, po sipas CNN, një dërgesë me dy tonë dollapë dhe vitrina prej druri dhe xhami mbërriti në Trump National Golf Club në Los Angeles nga Shanghai vetëm dy muaj më parë.

Ndërkohë Trump ka qenë gjithnjë më i ashpër ndaj Kinës për trajtimin e pandemisë së coronavirusit.

Dhe siç shkruan ndër tjerash CNN, Trump cicëroi Twitter-in për “moskompetencën e Kinës” dhe i akuzoi ata për “vrasje masive në të gjithë botën” dy ditë pasi kabinetet arritën në LA.

Trump ka thënë se ai e la drejtimin e perandorisë së tij të biznesit te djemtë e tij kur u bë President por nuk tërhoqi plotësisht kontrollin e kompanive në të cilat ai ende ka pjesë të interesit, dhe është e paqartë se sa rol ka, nëse ka, në biznesin e përditshëm të tyre. /Telegrafi/