Pak pasi komuniteti i inteligjencës amerikane publikoi raportin e tij të shumëpritur të premten pasdite mbi Sauditët që ishin përgjegjës për vdekjen e Jamal Khashoggi, ai u hoq pa shpjegim dhe u zëvendësua me një version tjetër në të cilin ishin hequr emrat e tre burrave të cilët fillimisht ishte thënë se ishin bashkëpunëtorë.
Siç shkruan CNN, përcjell Telegrafi, “ndërrimi i qetë” nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) kaloi kryesisht pa u vërejtur ndërsa shqetësimi u rrit rreth asaj nëse administrata e Biden nuk po e ndëshkonte princin në asnjë mënyrë, pavarësisht se sapo kishte deklaruar ai ishte përgjegjës.
Dhe siç shkruan më tej CNN, linku i parë me raportin që u dërgua nga ODNI “u shua”.
Më pas ai thuhet se u zëvendësua me një version të dytë që largonte tre nga burrat që sapo ishte njoftuar se “morën pjesë, urdhëruan, ose ishin ndryshe bashkëpunëtorë ose përgjegjës për vdekjen e Jamal Khashoggi”.
Por vë në pah CNN, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare nuk pranoi të sqaronte pse emrat ishin fillimisht në listë dhe çfarë rolesh, nëse kishte, ata mund të kishin në vrasjen e Khashoggit.
“Ne vendosëm një dokument të rishikuar në faqen e internetit sepse origjinali përmbante gabimisht tre emra të cilët nuk duhej të ishin përfshirë”, ka qenë arsyetimi i një zëdhënësi i ODNI për CNN.
Ndryshe, Administrata e presidentit amerikan Joe Biden ka deklasifikuar raportin e agjencive të zbulimit, lidhur me vrasjen e gazetarit saudit Jammal Khashoggi.
Siç pretendohet në raport, Princi saudit Mohammed bin Salman ka miratuar që në Stamboll, gazetari të “kapet dhe mbytet”.
“Që nga viti 2017, trashëgimtari i fronit ka kontroll absolut mbi organet e sigurisë në këtë vend, që e bën pak të besueshëm që zyrtarët saudit do ta kryenin operacionin e kësaj natyre pa miratimin e tij”, thuhet në raport.
Lidhur me këtë rast ka reaguar Ministria e Jashtme Saudite e cila i quajti të pasakta këto konkluzione, si dhe hodhi poshtë vlerësimin e fundit.
“Qeveria e Mbretërisë së Arabisë Saudite e hedh poshtë vlerësimin në raport që i përket udhëheqjes së Mbretërisë dhe vëren se raporti përmbante informacione dhe konkluzione të pasakta”, tha ministria e jashtme e saudite.
Jamal Khashoggi ishte kolumnist për gazetën Washington Post, i cili kishte qenë kritik ndaj qeverisë saudite.
Ai u vra brenda konsullatës saudite në Stamboll në tetor të vitit 2018. /Telegrafi/