Nafta Bruto amerikane (WTI) është rritur në nivelin më të lartë në 6 vitet e fundit, pasi vendet e prodhimit të saj dështuan të arrijnë një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit pas muajit gusht.
Emiratet e Bashkuara Arabe nuk janë pajtuar me pikat e propozuara nga karteli.
WTI po tregtohet në rreth 76.5 dollarëve për fuçi, ndërsa në herët gjatë sesionit u rrit pranë 77 dollarëve, niveli më i lartë që nga nëntori i vitit 2014. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 77.3 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga fundi i vitit 2018.
Bisedimet mes vendeve të OPEC+ filluan të enjten e kaluar, por deri më tani nuk është arritur një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit. Të premten grupi votoi për të rritur prodhimin me 400 mijë fuçi në ditë çdo muaj, nga gushti deri në dhjetor.
Gjithashtu, vendet propozuan nge shtyrje të marrëveshjes për uljen e prodhimit deri në fund të vitit 2022, mirëpo, Emiratet e Bashkuara Arabe i refuzuan këto propozime.
“Për ne nuk ishte një marrëveshje e mirë”, deklaroi ministri i Energjisë së Emirateve, Suhail Al Mazrouei.
Për shkak të marrëveshjes së OPEC+ për të ulur prodhimin, çmimet e naftës janë rritur me rreth 50 për qind gjatë këtij viti. Por tashmë paqartësitë janë të mëdha, pasi nëse nuk do të ketë një marrëveshje, çdo vend është i lirë të prodhojë sipas dëshirës. /Telegrafi/