Çmimet e naftës në sesionin e sotshëm të tregtimit po ndryshojmë minimalisht, pasi investitorët janë të paqartë mbi efektet që do kenë sanksionet amerikane ndaj Iranit, të cilat pritet të hyjnë në fuqi me 4 nëntor, mirëpo forcimi i dollarit amerikan ka kufizuar fitimet.
Aktualisht nafta londineze Brent po tregtohet në rreth 84.8 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e papërpunuar po tregtohet në rreth 75.2 dollarë për fuçi. Tregtarët shprehen se tregjet botërore të naftës janë të tensionuar pikërisht për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Iranit, përcjell Telegrafi.
Bazuar në të dhënat jozyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezervat komerciale u rritën me 907 mijë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 28 shtator, në totalin e 400.9 milionë fuçive.
Në anën tjetër, prodhimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është rritur me rreth një të tretën që nga mesi i vitit 2016 dhe gjendet aktualisht në 11.1 milionë fuçi në ditë. Në kahun e kërkesës, konsumi i karburanteve është i lartë, sidomos në ekonomitë aziatike në zhvillim. /Telegrafi/