Kësisoj për herë të parë prejse është themeluar ky çmim ka mbetur pa fitues. Për të mërkurën Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar edhe ndarjen e këtij çmimi bashkë me ato vjetore në fushën e muzikës.
Por në ceremoninë modeste të mbajtur në institucionin më të lartë kulturor s’është përmendur fare, siç është bërë dhe në komunikatën që ka lëshuar pas ceremonisë. Tek pas interesimit të mediave janë dhënë arsyetimet.
Ministria e juria ia kanë lënë përgjegjësinë njëra-tjetrës e komuniteti muzikor një gjë të tillë e konsideron neglizhencë. Ndërkaq, fituesit e çmimeve vjetore muzikore janë gati të njëjtit kompozitorë që kanë fituar edhe vitet e kaluara, njofton Kohën Ditore.
Në kategorinë e veprave vokalo- instrumentale çmimin e mori kompozitori Mendi Mengjiqi me “Kantatë”. Çmimin për vepra simfonike-koncertale e ka marrë kompozitori Drinor Zymberi me “Koncert pianistik”, e atë për vepër kamertale e kanë marrë Kreshnik Aliçkaj me “Kuintet pianistik” dhe Dafina Zeqiri-Nushi për veprën “Eho and narcis”. Fatin e çmimit për vepër jetësore e pati edhe ai në kategorinë e veprave të muzikës korale.
Kompozitorët kanë pasur një muaj kohë që të konkurrojnë në konkursin e hapur në janar të këtij viti. Afat të njëjtë për të propozuar për “Niketë Dardani”, sipas konkursit, kanë pasur edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Filarmonia e Kosovës, Baleti i Kosovës, Dega e Muzikës e Fakultetit të Arteve dhe asociacionet e shoqatat e ndryshme nga fusha e muzikës. Por nuk e kanë bërë këtë.
“I ndamë çmimet për vepra vjetore, ndërsa për çmimin për vepër jetësore do të duhej që propozimet të vinin nga institucionet. Më kanë informuar që nuk kanë ardhur propozime ”, ka thënë Lejla Pula, anëtare jurie bashkë me akademik Zeqirja Ballatën, Kushtrim Jakupin, Fraim Gashin dhe Adelina Thaçin.
Ministria e Kulturës bashkë me çmimet vjetore për muzikë prej vitit 2010 ndan edhe çmimin kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. Për herë të parë me këtë çmim u nderua post-mortem kompozitori Esat Rizvanolli, sikurse edhe Rexho Mulliqi një vit më vonë. Më 2013 u nderua Fahri Beqiri e vitin e kaluar muzikologu e pedagogu tashmë i ndjerë Engjëll Berisha.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se ndarja e këtij çmimi tashmë është bërë traditë dhe nuk do të duhej që ajo të thyhej.