Site icon Telegrafi

Çmimi i kafesë në nivelin më të lartë në 10 vjet

Çmimi i kafesë ka arritur maksimumin e ngritjes në 10 vitet e fundit, në Kosovë.

Çmimi për një kilogram kafe të bluar në Kosovë ka arritur në 12.90 euro – cent, një rritje prej 5 euro e 80 centë për një kilogram, krahasuar me vitin 2014, kur ky çmim ishte vetëm 7.10 euro – cent.

Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, çmimi mesatar i kafesë ka shkuar nga 7.10 euro – cent në 11.56 euro cent për një kilogram nga viti 2014 deri më 2023.

Rritja e vazhdueshme e çmimeve është evidentuar edhe gjatë muajit shtator të këtij viti, kur çmimi i kafesë ka arritur në 12.90 euro cent, raporton KosovaPress.

Përveç kafesë ngritje të çmimeve kishte dhe në produkte të tjera.

Sipas ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,2 % në muajin shtator 2024 krahasuar me muajin shtator 2023.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: shërbimet financiare (13,9 për qind, kafja, çaji dhe kakao (10,4 për qind), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (7,2 për qind), gazetat, librat dhe materialet për zyra (5,1 për qind), uji mineral, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet (4,9 për qind), veshje (4,4 për qind), qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (4,0 për qind), kujdesi personal (3,9 për qind), pijet alkoolike (3,5 për qind), pemët (3,5 për qind), mishi (3,0 për qind), duhani (2,9 për qind), buka dhe drithërat (2,1 për qind), qumështi, djathi dhe vezët (1,9 për qind) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,7 për qind në IHÇK-it”. /Kp/Telegrafi/

Exit mobile version