Site icon Telegrafi

Çmimi i naftës së papërpunuar gjatë vitit 2019 pritet të jetë 61 dollarë për fuçi

Marka ndërkombëtare e naftës së papërpunuar gjatë vitit 2019 do të ketë një mesatare prej 61 dollarë për fuçi dhe 65 dollarë për fuçi gjatë vitit 2020.

Sipas të dhënave të Administratës amerikane për Informacion mbi Energjinë, të publikuara në raportin energjetik të muajit janar 2019, thuhet se çmimi është më i ulët nga mesatarja prej 71 dollarësh sa ishte një vit më herët.

Ndonëse agjencia parashikon që çmimet e naftës të mbeten më të ulëta se gjatë pjesës më të madhe të vitit 2018, parashikimi flet për rritje të çmimit nga ai i dhjetorit të vitit 2018, në mënyrë që të kënaqet kërkesa në rritje, përcjell Telegrafi.

Administrata pret që çmimet e naftës së papërpunuar të vazhdojnë të rriten në fund të vitit 2019 dhe në fillim të vitit 2020, nga shkaku i rritjes së kërkesës së rafinerive për naftë të papërpunuar me sasi të vogla të sulfidit të hidrogjenit dhe dioksidit të karbonit, që është rezultat i rregulloreve të Organizatës Ndërkombëtare Detare, me të cilën kufizohet prania e squfurit në karburantet të përdorura nga anijet që lundrojnë në oqean.

Në raport thuhet se rritja botërore e prodhimit të naftës do të kryesohet nga vendet jo-OPEC, ndërsa gjatë vitit 2020, administrata thotë se rritja e prodhimit do të jetë me 1.7 milion fuçi në ditë të cilën do ta diktojë rritja në SHBA, Kanada, Brazil dhe Rusia.

Në fund, agjencia parashikon që kërkesa botërore e naftës të rritet me 1.5 milion fuçi ne ditë në vitin 2019 dhe në vitin 2020, me Kinën si kontribuesi kryesor në të dy vitet. /Telegrafi/

Exit mobile version