Telegrafi

Çmimi i naftës i ulët do të vazhdojë

Goldman Sachs ka rishikuar në rënie parashikim e saj për çmimet e naftës, duke nënvizuar faktin se normalja tashmë është në këto nivele dhe se do të mbetet e tillë edhe për shumë kohë.

Në baza tre, gjashtë dhe 12 mujorë, nafta Brent e Londrës do të shkëmbehet me 42 dollarë, 43 dollarë dhe 70 dollarë, sipas parashikimeve më të fundit të Goldman Sachs. Një gjë e tillë konfirmon edhe pritshmëritë e analistëve se çmimi i arit të zi do të qëndrojë rreth nivelit të 40 dollarëve për fuçi gjatë gjysmës së parë të vitit.

Parashikimi i mëparshëm i Goldman ishte për 80 dollarë në terma tre mujorë, 85 dollarë në terma gjashtë mujorë, dhe 90 dollarë pas një viti. Ndërsa nafta bruto amerikane parashikohet të ketë një trend nga 41 dollarë në 31 dollarë në përfundim të gjysmës së parë të vitit, për ta mbyllur 2015 me një çmim në 65 dollarë për fuçi.

Çmimi i arit të zi ka rënë me më shumë se 50% që prej muajit qershor të vitit të shkuar, dhe aktualisht nafta Brent e Londrës kuotohet në rreth 48 dollarë për fuçi, ndërsa ajo bruto amerikane në rreth 47 dollarë për fuçi.

Goldman thekson gjithashtu faktin se ky treg tashmë ka një aftësi të regjistrojë një suficit ditor prej 1 milionë fuçish, të paktën për një periudhë një vjeçare. Diçka e tillë vjen jo vetëm falë rritjes së nivelit të prodhimit, por edhe falë progreseve që janë bërë në drejtim të magazinimit. Goldman Sachs shprehet se është në dorë të prodhuesve e ardhmja e çmimit të naftës.

Vizioni i tyre për tregun ka pak gjasa të ndryshojë, të paktën deri sa të vijë momenti që çmimet të zbresin aq shumë, sa që mbijetesa të vihet në pikëpyetje- përfundon deklaratën e saj Goldman Sachs. /Telegrafi/