Telegrafi

Çmimi i autostradës rreth një miliard euro

Ndërtimi i autostradës Morinë – Merdar Qeverisë së Kosovës, do t’i kushtojë rreth 1 miliard euro, ndërkaq punimet do të zgjasin deri në fund të vitit 2015, nëse dinamika e tyre shkon sipas parashikimeve. Në qoftë se gjatë ndërtimit dalin punë shtesë, atëherë kostoja e ndërtimit të autostradës së kombit nëpër Kosovë do t’u afrohet shpenzimeve të bëra nga Shqipëria, apo mund të arrijë deri në 1.4 miliardë, shkruan Koha Ditore .

Sipas gazetës, ndërtimi i trasesë, siç prezantohet në raportin që Qeveria ka përgatitur për Komisionin Evropian, do të kushtojë rreth 884 milionë euro, ndërkaq 90 milionë do të shpenzohen në shpronësime. Koston e ndërtimit do ta rrisë edhe angazhimi i kompanisë mbikëqyrëse të punimeve në autostradë, tender ky i cili pritet të kushtojë rreth 10 milionë euro.

Në shpalljen e tenderit për ndërtimin e autostradës ishte dhënë çmimi prej 659 milionë eurosh si vlerë e parallogaritur, ndërkaq pas përzgjedhjes së fituesit është deklaruar se kostoja do të sillet rreth 700 milionë. /Koha Ditore/Telegrafi/