Site icon Telegrafi

Çmimi “Azem Shkreli”, sivjet i ndahet Ismail Kadaresë!

Më 20 dhe 21 maj të këtij viti, për herë të dymbëdhjetë mbahet manifestimi ndërkombëtar “Takimet ndërkombëtare letrare Azem Shkreli”, të cilat i organizon Drejtorati për kulturë i komunës së Pejës, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës të Kosovës.

Këtë manifestim, me pjesëmarrjen e tij (për herë të parë) e nderon shkrimtari më i madh i letrave shqipe, kandidati shumëvjeçar i çmimit Nobël për letërsi, Ismail Kadare, të cilit edhe do t’i ndahet çmimi, Azem Shkreli, që është çmimi më i lartë i manifestimit.

I përkthyer në afro 60 gjuhë të botës, fituesi i çmimit anglez “Boker man”, atij spanjoll “Mbreti Asturius” dhe atij francez “Kalorësi i nderit”, Ismail Kadare, pa dyshim është shkrimtari më i madh shqiptar (i gjallë), i cili më të drejtë është cilësuar, Gjenerali i letrave shqipe.

Sikurse njofton Këshilli Organizativ, tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë manifestim, i cili tashmë ka ndërtuar fizionominë e vet, kurse pjesëmarrja e Kadaresë, sivjet i jep peshë të veçantë.

Në kuadër të manifestimit do të ketë katër orë letrare,tryezë shkencore, në temën, Publicistika e Azem Shkrelit’, prezantimi i librit, intervistat e Azem Shkrelit, pastaj shfaqje teatrore, muzikë klasike e folklorike burimore nga Ansambli autokton “Rugova”, ekspozitë, këndi i librit, si dhe aktivitete të tjera përcjellëse.

Me këtë rast, do të ndahet edhe çmimi për poezinë më të mirë të manifestimit, e përzgjedhur nga Konkursi dhe Juria, kurse do të jipet edhe çmimi ‘Bulëzat’, i cili ka për qëllim nxitjen e krijuesve dhe krijuesve të reja.

Kadare, përveç që do të mbajë një fjalim rasti, pritet që ai të ketë edhe takim me lexuesit më të mirë si dhe me krijuesit e rinj.

Sh. F.

/Telegrafi/

Exit mobile version