Telegrafi

Çmimi amerikan për kuzhinë – “Tastemaker Awards” i jepet restorantit shqiptar “d’Alba”

Edhe një sukses, edhe një vend i parë për restorantin “d’Alba” në Teksas, SHBA.

Ekspertët e ushqimit që vlerësimit e tyre i botojnë në “Houston Culturemap”, e kanë shpallur restorantin e shqiptarit, Daut Elshani, si më të mirin të ri për vitin 2022.

“Restoranti është i njohur për atmosferën e mrekullueshme, oborrin mbresëlënës dhe shefin e kuzhinës, Geoff Hundt, i cili frymëzohet nga kuzhina italiane”, shkruajnë fillimisht ekspertët e kuzhinës në vlerësimin e tyre.


Ata më tutje thonë se këto tri pikat kryesore kombinohen shumë bukur me mikpritjen e stafit të restorantit më në krye me pronarin, Elshanin, i cili është i njohur për shndërrimin e ambienteve të ndryshme në destinacione për të gjitha kategoritë e njerëzve.

Elshani për Telegrafin ka pohuar se çelësi i suksesit qëndron tek stafi për të cilin është mirënjohës.

“Suksesi nuk është individual. Suksesi arrihet vetëm në grup. Gjithashtu edhe ushqimet e përgatitura me delikatesë dhe shije nga shefi ynë Hundt”, pohoi ai.


Theksojmë se në restorant mund të shijoni edhe një gamë të gjerë koktejesh të lëngjeve të frutave të freskëta të përgatitura në mënyrë natyrale si dhe verëra nga e gjithë bota duke përfshirë edhe verërat “Stone Castle” nga Rahoveci.

Kujtojmë se restoranti është vlerësuar me vendin e parë edhe nga gazeta tjetër amerikane që i dedikohet ushqimeve “houstoneater”.

Lexo po ashtu Restoranti i shqiptarit shpallet më i miri në Houston të SHBA-së

Ndërkohë, Elshani ka thënë se do të ketë edhe risi të tjera në restorant duke mos iu shmangur parimeve tona – shërbim i veçantë, ushqime të shijshme dhe ambient edhe më të rehatshëm dhe komod.

Ndryshe, d’Alba në gjirin e vetë ka kryesisht punëtorë shqiptarë të dëshmuar në fushën e gastronomisë. /Telegrafi/