Site icon Telegrafi

Çmimet e tregut për barnat, sqarim i Telegrafit rreth reagimit të ATK-së: Artikulli është bazuar në informatat zyrtare të publikuara nga OFK

Çështja e çmimit të barnave të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë, ka nxitur pakënaqësi të shumta në sektorin farmaceutik.

Së fundmi për këtë çështje Oda e Farmacistëve të Kosovës kishte kërkuar një opinion nga Administrata Tatimore e Kosovës, lidhur me çmimet e produkteve farmaceutike.

Në përgjigjen që ATK i kishte dhënë OFK-së, kishte theksuar se çmimi i produktit duhet të jetë vlera e hapur e tregut por jo më pak se çmimi i kostos.

Lexo po ashtu ATK konfirmon çmimet e tregut për barna, OFK kërkon nga MSh të marrin veprime për të parandaluar dëmtimin e barnatoreve

ATK ka reaguar ndaj shkrimit të publikuar në Telegrafi duke thënë se është “keqinformim”.

Telegrafi dëshiron të sqarojë se nuk ka asnjë keqinformim në artikullin e publikuar tri ditë më parë, pasi që informatat në artikull janë informatat zyrtare që ka publikuar Oda e Farmacistëve të Kosovës në faqen e tyre. Gjithashtu kërkojmë nga ATK që të mos jap vlerësime të tilla për keqinformim, pasi që Telegrafi është medium kredibil dhe i njohur për vërtetësinë e lajmeve.

ATK në reagimin e saj ka kërkuar që Telegrafi të publikoj përgjigjen e plotë të tyre drejtuar OFK-së, ku e njëjta përgjigje është e vendosur si embed i njoftimit të OFK-së, (shih foton).

Telegrafi dëshiron t’i sqarojë ATK-së se qëllimi i mediumit tonë nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë keqinformimi.

Për të shmangur çdo paqartësi tjetër të mundshme më poshtë po ua sjellim përgjigjen e ATK-së drejtuar Odës së Farmacistëve të Kosovës lidhur me çmimet e barnave:

Regjistrimi i mallrave duhet të mbahet me çmimin e kostos, ndërsa, çmimi i furnizimit duhet të jetë vlera e hapur e tregut por jo më pak se çmimi i kostos.

Përkufizimi i vlerës së hapur të tregut është bërë me nenin 3, paragrafin 1.12 të Ligjit Nr. 06/L-105 për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, citojmë:

“ 1.12. Vlerë e hapur e tregut – nënkupton shumën e plotë që duhet ta paguaj konsumatori në shkallën e njëjtë të tregut në të cilin ndodh furnizimi i mallrave ose shërbimeve, nën kushtet e konkurrencës së barabartë, për furnizuesin nën mbizotërimin e tregut brenda Kosovës ku është bërë furnizimi, në mënyrë që të marr mallrat ose shërbimet në fjalë në atë moment. Kur nuk mund të sigurohet krahasimi për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, vlera e hapur e tregut nënkupton si në vijim:

1.12.1. në lidhje me mallrat, një shumë që nuk është më e vogël se çmimi i blerjes së mallrave ose të mallrave të ngjashme ose në mungesë të çmimit të blerjes, çmimi i kostos i përcaktuar në kohën e furnizimit;

1.12.2. në lidhje me shërbimet, një shumë që nuk është më e vogël se kostoja e plotë e personit të tatueshëm që e ofron atë shërbim”.

Shitjet me lirim normalisht rezultojnë në humbje për biznesin, sepse çmimi me lirim normalisht është më i vogël se vlera e kostos. Humbjet e tilla janë të lejueshme në vitin që kanë ndodhur, me kusht që tatimpaguesi të dokumentojë arsyet për shitjen e artikujve me humbje dhe i ofron ATK evidencë të arsyeve për ta bërë atë me kërkesën e ATK. Çdo humbje e ndodhur është e kufizuar në ndryshimin në mes çmimit të blerjes dhe çmimit me të cilin mallrat janë shitur, e zbritur nga ndonjë rimbursim sigurimi që lidhet me mallrat e dëmtuara apo kompensimi i marrë në lidhje me mallrat që janë vjetruar. Tatimpaguesi, duhet të jetë në gjendje të ofrojë dokumentacionin i cili tregon datën e blerjes dhe çmimin e blerjes të mallit dhe datën e shitjes dhe çmimin e ulur të shitjes të mallit.

Rregullat e legjislacionit tatimor, vlejnë vetëm për qëllime tatimore! /Telegrafi/

Exit mobile version