Çmimet e prodhimit gjerman ranë më shumë se sa pritej, pasi lehtësimi i presioneve të çmimeve të energjisë shtoi shpresat se inflacioni në ekonominë më të madhe të Evropës mund të ulet më tej.
Në muajin korrik këto çmime u ulën me 6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, kur u rritën si pasojë e luftës në Ukrainë.
Kjo ishte rënia e parë nga viti në vit e çmimeve të prodhimit që nga nëntori 2020 dhe rënia më e mprehtë që nga tetori 2009, gjatë krizës financiare.
Ekonomistët kishin parashikuar një rënie prej 5.1 për qind. Rënia nga muaji në muaj prej 1.1 për qind ishte gjithashtu më e madhe se rënia prej 0.2 për qind që ata parashikonin.
Rreth 40 për qind e çmimeve të prodhimit gjerman janë tani më të ulëta se nivelet e larta vitin e kaluar. Çmimet e energjisë ranë me 19.3 për qind dhe çmimet e mallrave si metalet, druri dhe plehrat, ranë gjithashtu krahasuar nga viti në vit.
Por çmimet e prodhimit të ushqimeve u rritën me 9.2 për qind, ndërsa çmimet e mallrave të konsumit të qëndrueshëm ishin gjithashtu më të larta se një vit më parë.
Shumë ekonomistë parashikojnë se BQE-ja do të rrisë sërish normën bazë të depozitave në 4 për qind në takimin e radhës të politikës monetare më 14 shtator, “duke pasur parasysh elasticitetin e tregut të punës dhe të shërbimeve ndaj inflacionit dhe dinamikën e pagave”. /Telegrafi/