Çmimet e naftës po ndryshojnë minimalisht gjatë sesionit të sotëm, duke i dhënë fund tre sesioneve me radhë në rënie. Gjithsesi, çmimet po gjejnë një mbështetje nga të dhënat në SHBA, që treguan një rënie të rezervave të naftës, gjatë javës së kaluar, që kanë eklipsuar rritjen e prodhimit.
Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 66.7 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 63.2 dollarë për fuçi, shkruan Scan. Gjatë ditës së djeshme dhe ditën e sotme, tregjet e aksioneve janë qetësuar disi, duke e transmetuar këtë qetësi edhe në tregun e lëndëve të para.
Analistët shprehen se, rreziku që përfshiu tregjet preku edhe tregun e naftës, por efektet kanë qenë të kufizuara, pasi lëndët e para janë konsum ose asete reale, krahasuar me aksionet apo bonot, që janë asete investimi.
Gjithashtu, humbjet kufizohen edhe nga marrëveshja e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) dhe prodhuesve të tjerë, duke përfshirë Rusinë, për të ulur prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë, në përpjekje për të ulur rezervat globale të naftës.
Për këtë arsye, rezervat e naftës në SHBA kanë rënë me 20 për qind, që nga niveli maksimal i prillit të vitit 2017. Referuar të dhënave, rezervat e naftës në SHBA ranë me 1.1 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 2 shkurt, në totalin e 418.4 milionë fuçive.
Por, në anën tjetër, rritja e prodhimit në Amerikës është shqetësimi kryesor i OPEC. Gjatë vitit të kaluar, prodhimi në SHBA është rritur mesatarisht me 1 milionë fuçi, në mbi 10 milionë fuçi në ditë. /Telegrafi/