Telegrafi

Çmimet e mallrave të konsumit shënon ngritje gjatë janarit

Çmimet e konsumit në Kosovë kanë shënuar një rritje të vogël gjatë muajit të parë të këtij viti, krahasuar me muajin dhjetor. Kështu njofton drejtori i Departamentit të politikave ekonomike në Entin e Statistikës së Kosovës, Ilir Berisha, pas publikimit të fundit të indeksit të çmimeve të konsumit.

Indeksi i çmimeve të konsumit ka shënuar ngritje gjatë janarit të këtij viti për 0.6 për qind krahasuar me janarin e vitit 2009, sqaron Berisha. Është ngritur çmimi i rrymës, gazit dhe lëndëve tjera djegëse për 8.4 për qind, përdorimi i pajisjeve për transport personal 11.5 për qind, pastaj çmimi i perimeve është shtrenjtuar mbi 8 për qind, sheqerit, mjaltës dhe ëmbëlsirave 19 për qind, pastaj çmimi i shërbimeve komunale për 11 për qind etj. Por, gjatë këtij muaji ka pasur edhe rënie të çmimeve të disa artikujve, thekson Berisha.

Sipas ecurisë vjetore të çmimeve, gjatë vitit 2009 në Kosovë është shënuar një deflacion, apo rënie e përgjithshme e çmimeve prej rreth 2.4 për qind. Kjo sipas ekspertëve është vlerësuar se ka ndodhur për shkak të krizës ekonomike botërore dhe rënies së dërgesave të mërgimtarëve tanë.

Ndryshe, Enti i Statistikës së Kosovës publikon Indeksin e çmimeve të konsumit në baza mujore, ndërsa të dhënat i mbledhë në dhjetë qendra të vendit./rtk/