Telegrafi

Çmimet e konsumit në janar për 7 % më të larta

Nga artikujt kryesorë ushqimorë, nga janari i vitit të kaluar deri në janarin e këtij viti, buka është shtrenjtuar me 33 për qind si dhe vajrat e yndyrat me 40 për qind. Në përgjithësi, brenda 12 muajsh, inflacioni ka arritë shkallën 7.4 për qind, tregon zyrtarja për informim e ESK, Safete Selmani.

“Çmimet e konsumit në Kosovë kanë pasur ngritje. Inflacioni nga janari i vitit 2010 deri në janarin e vitit 2011 është 7.4 për qind.”, thotë Selmani.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini shprehet se në ngritjen e çmimeve, përveç ndikimeve globale, ka ndikuar edhe rritja e kërkesës. “Rritja e çmimeve është si pasojë e rritjes së konsumit të përgjithshëm, si pasojë e ngritjes së çmimeve në bursë, e të reshurave në vendet që kanë prodhim të madh”, theksoi Shahini.

Mirëpo, eksperti i ekonomisë, Nagip Skenderi, inflacionin e shënuar nuk e ndërlidhë me shtimin e kërkesës. “Në rastin e Kosovës nuk është inflacion nga kërkesa. Mirëpo, lëkundjet në tregun global, në këtë rast i naftës, mandej çmimet e transportit etj., kanë ndikuar që të importohet një inflacion i tillë me ngritje të çmimeve”, thotë Skenderi.

Sa i përket krahasimit me dhjetorin e vitit të kaluar, çmimet në muajin janar të këtij viti janë ngritë për 1.4 për qind. Buka është shtrenjtuar për afro 4 për qind, sheqeri, vajrat dhe yndyrat afro 3 për qind, perimet 7 për qind, etj. /RTK/Telegrafi/