Telegrafi

Çmime sipas qejfit

Me hesap të naftëtarëve, kosovarët duhet të fillojnë ta praktikojnë ecjen në këmbë më shumë. Kështu, sepse çmimet e derivateve kanë hipur aq lart, sa nuk mbahet mend të ketë ndodhur viteve të fundit. Tani për tani, çmimi i naftës me pakicë nëpër pika të shitjes ka shkuar deri në 1.18 euro, derisa benzina kushton nga 1.15 deri 1.17 euro. Por, vetëm pak ditë me parë ishte krejt ndryshe. Një litër naftë ishte 1.15 euro, derisa pak a shumë njëjtë ishte edhe benzina shkruan Express.

Por, nëse flasim për disa muaj më herët, dallimi është tepër i madh. Në korrik të vitit të kaluar, një litër naftë sillej nga 1.02-1.07 euro, kurse benzina 1.04-1.08 euro.

Zyrtarët e kompanive të naftës nuk kanë pranuar të flasin për ndryshimet e fundit të çmimeve. Ata veç pranojnë se janë të larta dhe se janë normale, pas ngritjes se çmimeve në tregjet e huaja.

Ndërkaq, Shoqata e Naftëtarëve i ka konfirmuar këto çmime dhe ka arsyetuar se të njëjtat janë rritur për shkak të rritjes se cilësisë se naftës dhe rritjes se çmimeve në bursën ndërkombëtare. Kreu i kësaj shoqate, Nazmi Bytyqi, ka sqaruar se rritja ka ardhur pas forcimit të dollarit dhe më pas ngritjes së çmimeve. /Telegrafi/