Një 27-vjeçar u arrestua sot nga Policia e Shkodrës, pasi është shpallur fajtor për një vrasje të kryer për gjakmarrje.
Autori i saj quhet Lazer Qukaj, ndaj të cilit Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë, që më datë 20 prill 2016 nxori urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Ngjarja daton në prill të 2014-ës, kur Lazer Qukaj u arrestua së bashku me 29-vjeçarin Gjergj Qukaj, pasi sipas uniformave blu, këta shtetas më datën 9 prill 2014, në vendin e quajtur “Ura Kasnecit”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin për gjakmarrje shtetasin Nikë Prroj, 60 vjeç, i cili nga ky atentat mbeti i plagosur lehtë në shpatullën e majtë.
Por, kjo tentativë vrasjeje lidhet me një vrasje të dyfishtë në qershor të vitit 2012, të një vajzë 17-vjeçare të quajtur Marija Qukaj dhe gjyshit të saj Kolë Qukaj. Në arën ku punonte 17-vjeçarja me gjyshin e saj, punonin edhe shtatë anëtarë të tjerë të fisit Qukaj, kur një breshëri plumbash doli nga shkurret vetëm pak metra larg arës dhe i morën jetën fillimisht Marijes.
Dëshmitarët thoshin asokohe se ekzekutimi i vajzës ishte më shumë një gabim, pasi gjakësit e ngatërruan atë më djalin e shtëpisë së Qukajve. Disa prej tyre shprehen se ditën e ngjarjes Marije Qukaj kishte veshur një palë pantallona të shkurtra dhe kishte vënë një kapele në kokë. Pantallonat mendohet se ishin të ngjashme me ato të xhaxhait të saj, Lazrit, i cili ndodhej i ngujuar në shtëpi.
Policia shpalli në kërkim tre anëtarë të fisit Prroj si autorë të dyshuar të masakrës në fshatin Kasnec. Mes dy fiseve konflikti dhe përdorimi i armëve kishte nisur për një vijë vaditëse të ujit, pasi ato jetonin në fshatin Kir të njësisë administrative të Pultit pranë njëra-tjetrës. Në korrikun e 2010-ës, Gjokë Qukaj vrau Ndoc Prroin për vijën vaditëse, pasi një debati mes palëve që degjeneroi deri në përdorimin e armës. /Shekulli/