Telegrafi

Çmenduri në Argjentinë, River Plate e humb titullin në xhiron e fundit që fitohet nga rivali i urryer Boca Juniors

Ka përfunduar edicioni 2019/20 me spektakël në elitën e futbollit argjentinas.

Dy skuadrat e Buenos Aires, River Plate dhe Boca Juniors kanë rivalizuar njëra tjetrën për titullin e kampionit deri në xhiron e fundit të kampionatit.

Edhe pse River Plate kishte një pikë diferencë me Bocan para xhiros së fundit, klubi bardhekuq nuk ka arritur të shpallet kampion, pasi ka dështuar në takimin ndaj Atletico Tucuman duke luajtur baras 1-1.

Në anën tjetër në La Bombonera, Boca Juniors nuk ka bërë hap fals duke mposhtur minimalisht 1-0 Gimnasian me golin e Carlos Tevez dhe duke fituar titullin e kampionit.

Futbollistët e River dhe Boca kanë derdhur lot, por tek kuqebardhët lot të hidhërimit teksa te rivali i tyre lot gëzimi, pasi arritën të përmbysnin epërsinë e pikëve dhe të stolisen me titullin e kampionit edhe pse pak kishte shpresë se do të ndodhte një gjë e tillë.

Vlen të ceket se kundërshtari i mbrëmshëm i Bocas, ka në radhët e veta si trajner Diego Maradonan, ku edhe legjenda argjentinase iu gëzua suksesit të ish-skuadrës së tij.

Kësisoj kampionati përfundoi pas 23 xhirove me Bocan kampion me 48 pikë të tubuara ku morën 14 fitore, gjashtë barazime dhe tri disfata, duke lënë mbrapa rivalin e urryer lokal River Plate me 47 pikë.

Për Bocan ky ishte titulli i 34-të i kampionit në Argjentinë, teksa rivalët e River Plate kanë 36 herë titullin e fituar.

Gjithsesi nuk kanë munguar edhe ngacmimet në rrjetet sociale të tifozëve të Bocas që kanë tallur ata rivalë. /Telegrafi/