Site icon Telegrafi

Clooney ngre padi ndaj fotografit që publikoi imazhe të fëmijëve të tij

Paparacit mund të ndihmojnë për katapultim drejt famës, por ndonjëherë i kalojnë caqet dhe këtë George Clooney e provoi mbi shpatulla, kur revista franceze Voici publikoi fotografitë e para të binjakëve të tij, pa e marrë pëlqimin e aktorit.

I acaruar, ylli i “Ocean’s Eleven” ka vendosur ta çojë çështjen në gjykatë. Aktori thotë se fotografi i Voici kaloi murin rrethues të rezidencës së tij, është ngjitur në një pemë të oborrit dhe ka shkrepur aparatin, duke i bërë në mënyrë të paligjshme fotografi fëmijëve, ndërkohë që ndodheshin brenda perimetrit të shtëpisë. Revista, sipas tij, do të japë llogari përpara gjykatës.

Lexo po ashtu Është zyrtare! Këta meshkuj kanë fytyrën më të bukur në botë (Foto)

“Është siguria e fëmijëve të mi në lojë”, është shprehur 56-vjeçari. Aktori i famshëm dhe bashkëshortja e tij, avokate e njohur dhe njëkohësisht mbështetëse e të drejtave të njeriut, Amal, e njoftuan në muajin qershor ardhjen në jetë të dy fëmijëve të tyre, një djalë dhe një vajzë, Alexander dhe Ella.

Mirëpo, deri më tani nuk kanë dhënë asnjë detaj tjetër mbi të miturit, e as kanë publikuar ndonjë fotografi të tyre, transmeton Top Channel.

Voici i kishte të premten në kopertinë fotografitë e çiftit të veshur me rroba plazhi, duke mbajtur secili në krah nga një foshnjë. Ata duket se po ecin në kopshtin e Vilës së Clooneyt, pranë liqenit Como, në Itali.

Binjakët janë fëmijët e parë të bashkëshorteve Clooney, që lidhën kurorë tre vjet më parë në Venecia, në një ceremoni madhështore, të mbushur me emra të famshëm të ekranit, por që prej atëherë janë përpjekur ta mbajnë jetën e tyre private sa më larg syve të publikut.

Exit mobile version