I porsa kthyer nga Serbia, ku ditë më parë ishte rrahur nga një grup serbësh, 19-vjeçari po trajtohet në shtëpi, në lagjen “Arbana” të Prizrenit, ku familja e tij jeton me qira.
Në mesin e personave që e kanë vizituar Çlirimin ishte edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, i cili është edhe mjek.
Në një postim në profilin e tij, Avdyli ka treguar për gjendjen shëndetësore të Çlirim Malokut.
“Si neurokirurg ju informoj se Çlirimi ka kaluar një traumë të rëndë të kokës me frakturë të eshtrave të kafkës dhe veshit, me gjakderdhje epidurale (mbi cipat e trurit). Fati i tij i madh ishte intervenimi kirurgjik i shpejtë brenda 2 orëve pas goditjes që ai sot gëzon deridiku gjendje të mirë”, ka shkruar dr. Haxhi Avdyli.
Më tutje, mjeku tregon se në ekzaminimin neurologjik nuk ka vërejtur ndonjë dobësim, paralizë të gjymtyrëve, “përveç një parezë të lehtë facialisit”.
Sipas tij, Çlirimi lëviz lirshëm, ka vetëdije të plotë dhe orientim në hapësirë e kohë.
“Tani për tani vazhdon që ti kulloj gjak veshi i djathtë (otorragjia), marramendja, kokë-dhimbje, stres të shtuar dhe amnezion për ngjarjen”, ka shtuar deputeti Haxhi Avdyli.
Duke qenë se familja e Çlirim Malokut jeton me qira, deputeti Avdyli ka theksuar se kjo familje ka nevojë për ndihmë mjekësore dhe ndihma të tjera nga shteti.
Sot gjatë ditës, 19-vjeçari ka thënë se është kthyer në familje dhe se gjendja e tij po përmirësohet.