Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë zyrtare për shënimin e 20 Vjetorit të Hyrjes së Trupave të NATO-s në Kosovë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka kujtuar një nga momentet e tij më interesante, që kanë të bëjnë me Kosovën.
“Në pothuajse 19 vite që kam qenë jashtë Shtëpisë së Bardhë, ndër gjërat më të mrekullueshme që më ka ndodhur është kur dikush më afrohet në rrugë ose edhe diku tjetër, në një hotel apo ashensor. Ose në një rast, kur isha në një restorant duke ngrënë darkë me miq dhe një kamerier (shqiptar) erdhi dhe më pa aty dhe më ra në gjunjë, për të më falënderuar”.
“Kjo është një gjë e mrekullueshme, por çfarë në të vërtetë dëshiroj është se më pëlqejnë kosovarët dhe shqiptarët në New York, por unë dua që çdo person i ri në këtë vend të ketë mundësi të barabarta për të ndërtuar të ardhmen këtu”, ka porositur ish-presidenti Clinton.
Gjatë fjalimit të tij, ai ka thënë se i pëlqen Kosova dhe se gjithmonë do të jetë nder në jetën e tij që ka qëndruar me kosovarët kundër spastrimit etnik dhe për lirinë.
Ish-presidenti amerikan ka vënë në pah se atëbotë, kur ka vendosur aksionin e NATO-s ndaj caqeve serbe, nuk ka dashur që shekulli i 20-të të përfundojë si ripërsëritje e asaj që kishte nisur, me gjakderdhje. /Telegrafi/