Site icon Telegrafi

Clinton: Pas 20 vitesh mendoj se ju keni arritur ta fitoni paqen

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka falënderuar për mikpritje autoritetet në Kosovë, në atë që ai e ka quajtur ditë kaq të rëndësishme.

Në këtë drejtim, në fjalimin e tij në ceremoninë zyrtare për shënimin e 20 Vjetorit të Hyrjes së Trupave të NATO-s në Kosovë, ish-presidenti Clinton ka thënë se sot dëshiron të flasë kryesisht për të ardhmen, por duke mos lënë anash edhe të kaluarën.

Kështu, ai ka bërë të ditur se në zyrën e tij në New York, mban një fotografi në të cilën gjendet bashkë me ish-sekretaren Madeline Albright, si dhe me gjeneralin Wesley Clark dhe personalitete tjera të asaj kohe.

“Çdo ditë që qëndroj në atë zyrë, e shikoj atë fotografi për t’ia kujtuar vetes se cili ka qenë qëllimi kryesor për justifikimin e sulmeve”.

Ai ka thënë se i pëlqen Kosova dhe se gjithmonë do të jetë nder në jetën e tij që ka qëndruar me kosovarët kundër spastrimit etnik. Gjithashtu ka thënë se ndërkohë i kujtohen edhe fytyrat e qytetarëve para 20 vitesh në Ferizaj.

“Atë ditë thash atë që duhet ta them prapë, 79 ditë të sulmeve e kanë fituar këtë luftë, por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen. Pas 20 vitesh mendoj se ju keni arritur të fitoni paqen”.

Lexo po ashtu Clinton tregon momentin kur një kamerier shqiptar kishte rënë në gjunjë, për ta falënderuar

Ish-presidenti Clinton ka shtuar se kosovarët, para se të mendojnë se çfarë duhet të bëhet, duhet të jenë falënderues se në udhëtimin këto 20 vitet e fundit, paqja është mbajtur, nuk ka pasur kthim në dhunë etnike, nuk ka pasur shkatërrime dhe kjo është meritë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Ish-presidenti amerikan ka vënë në pah se atëbotë nuk ka dashur që shekulli i 20-të të përfundojë si ripërsëritje e asaj që kishte nisur, me gjakderdhje.

“Çdo ditë ne zgjedhim të jetojmë me shpresë për të ardhmen e shkëlqyeshme. Mos harroni kurrë të mendoni për sfidat para nesh, dhe ua them këtë liderëve tuaj, ju keni bërë diçka të jashtëzakonshme”.

Ndërsa duke folur për rolin e NATO-s në atë kohë, Clinton mendon se ka qenë triumf i bashkëpunimit internacional. /Telegrafi/

Exit mobile version