Hillary Clinton është e shëndetshme dhe e aftë për të shërbyer si presidente e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka thënë mjekja e saj, Dr. Lisa Bardack, teksa ekipi i fushatës së saj ka publikuar raportin e saj më të ri mjekësor.
Kandidatja demokrate për presidente “po vazhdon të përmirësohet”, pas diagnostikimit me pneumoni, ka bërë të ditur ekipi i fushatës së saj nëpërmjet një komunikate, raporton BBC.
Ekipi i fushatës po ashtu ka thënë se mjekia e Clintonit ka vlerësuar se ekzaminimi i saj i plotë fizik është “normal” dhe se ajo është “në gjendje të shkëlqyeshme mendore”, transmeton Gazeta Express.
Këshilltarët e Clintonit kanë thënë se ajo do t’i rikthehet fushatës të enjten.
Dr. Lisa Bardack ka thënë se Clinton “po e merr veten mirë me antibiotikë dhe duke pushuar”, pasi asaj i janë marrë mendët gjatë ceremonisë përkujtimore për viktimat e sulmeve të 11 Shtatorit, të dielën.
Ekipi i fushatës ka thënë se ajo i është nënshtruar një skanimi të kraharorit të premten, i cili ka shfaqur “pneumoni bakteriale të butë dhe jongjitëse”.
Ajo po trajtohet me një antibiotik të quajtur Levaquin, që i është përshkruar asaj për 10 ditë.