Asgjë! Ama hiç asgjë! Nikoliqi, menjëherë pasi fitoi, shkoi te Putini me “marrë dorë”, dhe tha se “mes Brukselit dhe Kosovës, gjithmonë do ta zgjedhë Kosovën”, dhe klishe të tjera. Ndryshim ndoshta mund të quhet deklarata e tij se “nuk do të përzihet në punët e qeverisë”, të cilën Nikoliqi e dha atë ditë kur u nominua për president.
Për mendimin tim, kjo deklaratë Nikoliqin megjithatë e bën më “demokrat” se Tadiqin, sepse Tadiqi e pati margjinalizuar skajshmërishtë qeverinë serbe. Aq shumë sa që për të na u kujtuar emri i ish kryeministrit serb, goxha kohë na duhet për t’u menduar. Hiqe Daçiqin dhe Jeremiqin, anëtarët tjerë të qeverisë serbe ishin të padukshëm.
Përndryshe, sa i përket qasjes rajonale dhe asaj globale, nuk kemi kurrfarë ndryshimesh strategjike. Zaten, në këtë drejtim, nga Beogradi nuk kemi pasur asgjë të re që nga fillimi i shekullit XIX, e sidomos që nga Kongresi Pansllavik i vitit 1848, atëherë kur edhe himni "Hej slloveni" u adaptua si vizion.
Thënë të drejtën, strategjia e okupimit të territoreve të huaja (lebensraum), duke mos përjashtuar krimet dhe gjenocidet (sepse qëllimi arsyeton mjetin) nën pretekstin e së “drejtës historike”, u dha suksese. Si në vitet 1877-78 kur e okupuan Toplicën, të cilën e pastruan tërësisht nga shqiptarët (pastaj i prodhuan “faktet historike” me të cilat “dokumentuan” se ajo tokë është serbe), njashtu edhe më 1912, 1918 dhe vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Ngjashëm bënë edhe me territoret e Kroacisë, Bosnjës, por edhe vendet tjera nuk i lanë anash.
Paramendo, po të kishte pasur sukses Serbia në okupimin e Durrësit, një zot e di se deri sot sa fakte historike kishte për t’i fabrikuar Akademia Serbe e Shkencave për të dokumentuar se Durrësi gjithmonë ka qenë “zemra e Serbisë”.
Natyrisht, në të kaluarën kishte edhe raste kur Serbia megjithatë nuk mundi t‘i realizojë qëllimet e veta, jo vetëm në rastin e Durrësit, por bie fjala nuk ia arriti edhe me “Republikën e Mirditës” (të Marka Gjonit), në vitet 1920-ta, apo me “Republikën e Krajinës Serbe”, në vitet 1990 etj.
Meqë u përmendën të “drejtat e njeriut”, rasti i “Republikës së Mirditës” ilustron shumë mirë faktin se Serbia nuk përton të përdorë çdo mjet të mundshëm për të realizuar qëllimin e vet. Siç dihet, në vitet e para të pas Luftës së Parë Botërore, Shqipëria kalonte në një periudhë të vështirë organizative. Kishte qeveri të brishtë dhe situatë shoqëroro-ekonomike jo stabile. Andaj, Serbia tentoi t’i shfrytëzojë rrethanat.
Për shkak se qeveritë të shumtën përbëheshin nga myslimanët, mediat serbe nisën fushatën propagandistike duke akuzuar “Qeverinë shqiptare myslimane” se po bënte krime ndaj shqiptarëve të krishterë në veri. E gjetën edhe njeriun me anë të të cilit tentuan që ta zbatonin planin e tyre. Ai ishte Gjon Marka Gjoni, i cili ishte i pakënaqur, sepse pas vdekjes së kushëririt të tij, Preng Bibe Dodës më 1919, nuk e trashëgoi atë dhe nuk mori asnjë post. Dhe, me 17 korrik 1921, Marka Gjoni e shpalli “Republikën e Mirditës” dhe veten e emëroi president.
Në këtë kohë ai jetonte në Prizren, për shkak të belasë. U mor vesh se shpalljen e republikës e bëri nën këshillat e Pashiqit, i cili po ashtu e udhëzoi Marka Gjonin që të dërgonte përfaqësuesin e vet dhe të kërkonte njohje dhe anëtarësim në Lidhjen e Kombeve.
Në këtë drejtim, ambasadori serb Javonoviç ishte shumë i zhurmshëm në mbrojtjen e “Republikës së Mirditës” dhe në mbrojtjen e “të drejtave të shqiptarëve krishterë”.
Ky cirkusllëk pati për të zgjatur edhe më shumë, sikur mos të reagonin shqiptarët e krishterë, ku patjetër duhet cekur abatin imzot Sereçin, i cili dha një kontribut të madh në demantimin e propagandës serbe.
Për fund të ceket se Serbia gjithkund ku dështoi në realizimin e planeve të veta, reagoi njëjtë. Për një kohë relative bëri propagandë mediale duke i potencuar “të drejtat e njeriut” dhe “të drejtën historikë”. Por, gradualisht e pranoi humbjen d.m.th. u soll në stilin “nëse fitoj – mirë shumë, por edhe nëse nuk fitoj, nuk humbi asgjë se edhe ashtu ajo tokë nuk ka qenë imja”.