I akuzuari Manuele Camozzato është deklaruar i pafajshëm, në rastin ku ai po ngarkohet se pa pëlqimin dhe autorizimin e aksionarit kryesor tani të dëmtuarit F.I, ka tërhequr nga kompania “Iavazzi sh.p.k” mjetet në vlerë prej 500 mijë euro.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori special Burim Çerkini, i pandehuri Camozzato tha se nuk e pranon fajësinë.
Më pas gjykatësi i rastit Valon Kurtaj njoftoi palët që në afat prej 30 ditësh kanë të drejtën e parashtrimit të kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
Gjithashtu gjykatësi Kurtaj e informoi të akuzuarin për të drejtën e mbajtjes së gjykimit në mungesë, mirëpo i akuzuari tha se nëse më dorëzohen ftesat do të jetë prezent nëpër gjykime.
Sipas aktakuzës së përpiluar më 15 nëntor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Manuele Camozzato ngarkohet se në vitin 2018, nga llogaria e Kompanisë “IAVAZZI SHPK”, me seli në Prishtinë, pa pëlqimin dhe autorizimin e aksionarit kryesor, tari të dëmtuarit F.I, ka tërhequr mjetet duke përpiluar një dokument për huazim të mjeteve.
Aktakuza thotë se përmes dy transfereve bankare, njëri më 25 korrik 2018 ku ka tërhequr shumën prej 360 mijë euro, si dhe transferi i dytë më 10 tetor 2018, ku ka tërhequr shumën prej 140 mijë euro, të cilat ishin deponuar nga i dëmtuari F.I me destinim për kompaninë “Iavazzi Shpk”, në emër të kapitalit të kompanisë, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga ana e të dëmtuarit dhe të akuzuarit për themelimin e kompanisë “Iavazzi Shpk”, raporton betimiperdrejtesi.
Siç thuhet në aktin akuzues, pas tërheqjes së shumës së parave nuk dihet se këto para ku kanë përfunduar, ashtu që me këto veprime i ka shkaktuar dëm financiar tani të dëmtuarit F.I, në vlerë prej 500 mijë euro.
Me këtë, Caozzato akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 4 lidhur me par. 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.