Tensionimin e situatës në veri të Kosovës është përcjellë me mungesën në opinion të Marko Gjuriqit, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Edhe pse kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka demantuar zërat se do të shkarkojë Gjuriqin, drejtori i Zyrës për Kosovë nuk i ka sqaruar për opinion disa veprime të tij, shkruan B92, përcjell Telegrafi.
Angazhimi i djathtistit të gjykuar Misho Vasiq dhe ngritja e tensioneve për shkak të vendimit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën që treni me ikonografi serbe të dërgohet në veri të Kosovës, kanë hapur çështjen e përgjegjësisë së Marko Gjuriqit-shef i kësaj zyre.
Mirëpo, Gjuriq duket se nuk po brengoset fort për këtë çështje.
I pyetur nga B92 nëse ndjehet përgjegjës për zhvillimet e fundit që kanë ndodhur, që lidhen me Zyrën për Kosovën, por që kanë pasur një jehonë negative në opinion, sidomos dekorimi i trenit me ikonografi nacionaliste serbe dhe gjithçka që ka ndodhur më pastaj, Gjuriq ka thënë se “për këtë çështje është folur gjerë e gjatë dhe nuk e shoh të arsyeshme të komentoj më për këtë temë. /Telegrafi/