Site icon Telegrafi

Çka po ndodh me futbollin e femrave?

Tashmë dihet e tek ne nuk i kushtohet rëndësi futbollit të femrave, ndonëse kemi ligën e cila bën gara, por sikur askush nuk qanë kokën për te. Madje edhe ndeshjet nuk kanë orar të caktuar, pasi në të shumtën e rasteve zhvillohen sipas dëshirës apo ndonjë marrëveshje të drejtuesve të skuadrave.

Është e qartë se garat tek ne mbahen jo pse po duam apo se jemi të interesuar për diçka të tillë, por pse e kemi obligim, pasi në UEFA e FIFA nuk mund të shkohet pa garat në futbollit të femrave.

“Kjo nuk tolerohet. Edhe unë e kam parë se në faqen zyrtare nuk ka asgjë për futbollin e femrave dhe më erdhi shumë keq. Për këtë ua kam tërhequr vërejtjen përgjegjësve në FFK, por shpresoj se brenda javës do të rregullohet faqja zyrtare dhe dashamirët e futbollit të femrave do të kenë pasqyrën e zhvillimit ta garave”, tha Eroll Sallihu, sekretar i FFK-së, duke bërë me dije se njëra nga arsyet është edhe orari i ndeshjeve, pasi “ ato po zhvillohen edhe të hënave apo ditëve të tjera për shkak të telasheve që kanë klubet tona”.

Nuk ka dyshim se edhe klubet kanë hallet e tyre dhe nuk e kanë të qartë se çfarë po ndodh në këto gara.

“Unë nuk po mundem ta kuptoj se si është e mundur të ndodh diçka e tillë. Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh në ndeshjet tjera dhe rezultatet po i marrim kryesisht përmes bisedave me kolegët tanë. Trajnerët e skuadrave janë të pafuqishëm në këtë drejtim. Ne po e kryejmë detyrën tonë, por këtë duhet ta bëjnë edhe të tjetër në mënyrë që të mos garojmë vetëm sa për sy e faqe”, tha Bajram Krasniqi, kryetrajner i Kosovës së Prishtinës, skuadrës më të suksesshme në futbollin e femrave në vendin tonë.

I zhgënjyer është edhe kryetrajneri i Fc Prishtina, Suad Keçi .“ Jemi lënë pasdore në çdo aspekt dhe kjo nuk është mirë. Vashat edhe ashtu kanë vështirësi të mëdha, por të paktën meritojnë që për ato të shkruhet apo të bëhet diçka më shumë, ndryshe nuk mund të flitet për masivizim e aq më pak për cilësi”, thotë Suad Keçi. /Zëri/Telegrafi/ 

Exit mobile version