Ata që pretendojnë të merren me çështjet studimeve të sigurisë, gjithmonë duhet ta kenë parasysh trinomin: Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Shkencat Politike dhe Studimet e Sigurisë.
U bënë më shumë se një muaj pas ndodhjes së Operacionit “Veriu” dhe tani me të drejtë dhe pak me vonesë shtrohet pyetja çka më tutje?
Fillimisht të shtrojmë disa vështrime të studimeve të sigurisë klasike dhe moderne.
E para e së parës qëndron në atë se kryeministri dhe njësiti special ROSU i dhanë një shpullë të nxehtë dhe tronditëse biles edhe pak fyese një pjese të Evropës (edhe atyre që na kishin njohur dhe s’po luanin as gishtin e vogël për të na përkrahur së paku moralisht për të shtrirë sovranitetin në tërë vendin), Unmik-istanit, Euleks-istanit, Serb-istanit dhe disa “stanarëve” tjerë që jetojnë den babaden në Kosovë, e që për fatin e keq të tyre flasin shqip dhe hanë bukën shqiptare ose siç thotë populli janë vetëm taksirati i miellit.
Cili dhe çfarë është problemi i veriut?
Dëgjuam këtë muaj tropikal lloj-lloj deklaratash të çuditshme, pa vend e pa kripë, të qëllimshme e të paqëllimshme e herë-herë skajshmërisht naive, me një fjalë gjithçka, por asgjë konkrete dhe me vlerë. Së pari problemi i veriut nuk është vetëm problem i sigurisë siç po deklarojnë analistët, këshilltarët, deputetët, OJQ-të bile edhe disa ministra që i njohin mirë studimet e sigurisë.
Për të sqaruar më mirë këtë, duhet që këshilltarët për siguri të cilit do udhëheqës shtetëror qofshin, të bëjnë dallimin midis dy koncepteve të sigurisë:
Sigurisë klasike cila kishte përfunduar me përfundimin e luftës së ftoftë dhe e cila kishte të bënte me sistemet lindje dhe perëndim ose kapitalizëm –socializëm e që deri në këtë kohë studimet e sigurisë privilegjonin pozitën e shtetit, ku siguria përkufizohej si studimi i kërcënimit, përdorimit dhe kontrollit të fuqisë çoftë ushtarake apo ndonjë fuqie tjetër.
Koncepti tjetër lindi në vitin 1994 në Universitetin York të Torontos në një konferencë të vogël ku studiues të shumtë nga e gjithë bota filluan të aplikojnë emërtesën “Studimet kritike të Sigurisë”.
Në këtë rast dua tua përkujtojë deklaratën e mëhershme qesharake dhe kontradiktore të soziut të Sllobodan Millosheviqit, z. Ivica Daçiq se veriu i Kosovës është vetëm një rrezik lokal! Pikërisht këto rreziqe lokale të “Sllobodan Millosheviqit” miniatural e shpërbënë Ish Jugosllavinë e tij të “dashur”, siç ishin luftërat në Bosnje, Kroaci, Slloveni dhe në Kosovë apo në sigurinë ndërkombëtare sikurse rasti i Ruandës.
Por me studimet kritike të sigurisë ose me studimet moderne të kësaj fushe, humbet roli i shtetit si garantues i sigurisë së qytetarëve të vet ose përkundrazi ndodh që shteti shpesh mund të rrezikojë qytetarët e vet. Dhe pikërisht këtu është e ndjeshme “bota demokratike perëndimore” sepse matë me kutet e saja e që nuk vlejnë edhe për Kosovën në këtë shkallë zhvillimi, njohjeje dhe demokracie. Shteti shpesh mund të rrezikojë qytetarët e vet siç kishte ndodhur me shtetin Serb ndaj qytetarëve të Kosovës dhe jo vetëm ndaj tyre.
Këshilltarët për siguri të Kryeministrit, Presidentit, Kryeparlamentarit dhe Ministrave duhet të këshillojnë udhëheqësit vendorë se nuk sigurohet siguria vetëm nga institucionet me mandat sigurie. Siguria tani ka të bëjë me qeniet njerëzore, individin, komunitetet (qofshin ato edhe homoseksuale), grupet etnike, idetë, normat dhe rregullat demokratike që duhet të sigurohen pikërisht nga shteti sepse këto nëse nuk i siguron shteti e drejta e sigurimit të tyre kalon tek Komisionet e Ndryshme Ndërkombëtare. Sidoqoftë duhet të jemi të vetëdijshëm se sigurinë më nuk e prodhon vetëm ushtria dhe policia.
Një çështje është me rëndësi të studiohet nga ekspertët e studimeve të sigurisë. A është çështja e veriut si çështje e sigurisë e përcaktuar më shumë në aspektin subjektiv, dhe si çështje që elita jonë, liderët politik, dhe bashkësia ndërkombëtare na kanë bindur se ne po përballemi me një kërcënim dhe se ky kërcënim ka nevojë për një masë emergjente apo jo? Kjo teori e bindjes subjektive i përket Institutit të Kërkimeve të Paqes në Kopenhagë e njohur ndryshe si Shkolla e Kopenhagës dhe mund të ketë pak të vërtetë nga kjo teori në rastin e veriut.
Me çka po përballemi realisht në veri?
Këtu kemi dy modele të çështjeve të studimeve të sigurisë:
Modelin klasik ku referenca kryesore është shteti sepse qeveria e Republikës së Kosovës plotësisht me të drejtë po kërkon dhe tenton që ta shtrijë sovranitetin e vet me qëllimin më të mirë për të siguruar qytetarët e vet dhe njëkohësisht kemi të bëjmë me modelin modern ose kritik të studimeve të sigurisë e që ka të bëjë me mbrojtjen e grupeve etnike, komuniteteve, individëve, ideve, vlerave morale, religjioze, vlerave demokratike, dhe të drejtën legjitime për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur e cila e drejtë u mungon qytetarëve më shumë se një dekadë në veri.
Për më tepër, këto vlera shteti ynë i mbron nga kriminelët e dëshmuar, paramilitarët, kontrabandistët, trafikantët rajonal dhe ndërkombëtar,si dhe strukturat paralele të një shteti deri dje armik dhe pushtues i yni.
Serbët e kanë humbur torruan!
Tani, pasi që doli haptas se mbështetja këtyre strukturave po u vije nga shteti serb, këta duke parë se qeveria e Kosovës është e vendosur për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e vet të pranuar ndërkombëtarisht, kanë devijuar ose aktrojnë se kanë humbur misionin e tyre që ishte boshnjakëzimi i Kosovës, gjegjësisht ndarja e veriut. Kështu, të trembur nga integrimi i suksesshëm i Serbëve në pjesën tjetër të Kosovës sidomos nga vendosmëria dhe mbështetja së paku Amerikane dhe Gjermane për veprimet e Qeverisë me 25 gusht, serbët me gjasë nuk kanë më koncept të qartë veprimi.
Cilat janë detyrat e Planifikuesve tanë?
E para:
Të hartohet një Plan Gjithëpërfshirës i Veprimit nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (Ministritë), për të zbarkuar në terren dhe për të filluar së kryeri detyrat dhe përgjegjësitë sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si psh, dogana, gjykata, targa, dokumente personale, telekomunikacion, tatime, taksa, si dhe të gjitha këto institucione të Republikës së Kosovës të përkujdesen që qytetarët e veriut pa dallim etnie të kenë qasje të barabartë në të gjitha shërbimet shtetërore sidomos në ato që i quajmë infrastrukturë vitale si uji, ushqimi dhe energjia sepse shpesh herë këto çështje mund të kërcënojnë sigurinë. Përveç kësaj ky plan gjithëpërfshirës veprimi duhet të ngërthejë në vete çështjet që në studimet e sigurisë quhen siguria shoqërore, siguria ekonomike, siguri mjedisore etj..
E dyta:
Në kohën kur qarqet anti shtet të Republikës së Kosovës morën shpullën e nxehtë nga Kryeministri dhe njësia speciale ROSU, menjëherë pas nokdaunit që pësuan vendosën t’i hakmerren kryeministrit duke caktuar kryeprokurorin për akuzat e Dick Martit, kundër Kryeministrit të Kosovës, për ta shantazhuar atë dhe për ta frenuar vrullin e tij në mënyrë që të marrin frymë sadopak, për të qartësuar dhe konsoliduar misionet e tyre të ardhshme anti-Kosovë. Në këtë drejtim është me rëndësi jetike që Kryeministri të vazhdojë punën e tij sepse si zakonisht grupet punuese dhe task-forcat e ndryshme janë të predestinuara të dështojnë.
E treta:
Krahas hartimit dhe implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Veprimit, Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të vazhdojë bisedimet me Serbinë për çfarëdo teme që ata (serbët) dëshirojnë dhe shohin ëndërr, qoftë ajo politike, teknike, politeknike, astronomike apo diç tjetër.
(Autori është udhëheqës i Divizionit të analizave dhe planifikimit emergjent në Agjencinë e menaxhimit emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës)